KFOR dhe Ushtria Serbe bisedojnë për situatën në Veri

Siç bën të ditur KFOR, në këtë takim, gjeneralët Farina dhe Dikovic biseduan për situatën në Ballkan, me theks të veçantë për veriun e Kosovës dhe për rëndësinë e bashkëpunimit në mënyrë që të përmirësohet situata e sigurisë në rajon.

Lajme

29/01/2014 17:57

Komandanti i KFOR’it, Gjenerali Salvatore Farina është takuar sot me Komandantin e ushtrisë së Serbisë, Gjeneralin Ljubisa Dikovic.

Takimi është zhvilluar në shtabin kryesor të KFOR’it në Prishtinë.

Siç bën të ditur KFOR, në këtë takim, gjeneralët Farnia dhe Dikovic biseduan për situatën në Ballkan, me theks të veçantë për veriun e Kosovës dhe për rëndësinë e bashkëpunimit në mënyrë që të përmirësohet situata e sigurisë në rajon.

“Komandanti i KFOR’it nënvizoi përmirësimin e situatës së sigurisë si rezultat i marrëveshjes së 15 prillit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe konfirmoi përpjekjen e vazhdueshme të misionit të NATO’s për të kontribuar në ambient të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur përparimin”, thuhet në komunikatën e KFOR’it.

Ky takim, i cili është i dyti me radhë ndërmjet dy gjeneralëve, është pjesë e agjendës së bisedimeve të nivelit të lartë që zhvillohen në përputhje me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake (MTU), që ndryshe njihet si Traktati i Kumanovës. Ky është takimi i katërt i nivelit të lartë që Komandanti i KFOR-it zhvilloi brenda pesë muajve të fundit, në Beograd, Tiranë, Shkup dhe Podgoricë.

Komandanti i KFOR-it takohet rregullisht me shefat e mbrojtjes të vendeve të ndryshme që janë në kufij me Zonën e Përgjegjësisë së KFOR-it, kryesisht me Shqipërinë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KFOR.