Koalicioni Qeveritar për zgjedhje në qershor
Koalicioni Qeveritar duket se nuk është i interesuar ta vazhdojë qeverisjen deri në mandatin e plotë, për shkak se i mungon shumica parlamentare. Zgjedhjet në qershor, është opsioni që po e mendojnë partitë në koalicion.

Lajme
Muaji qershor ka filluar të konsiderohet seriozisht si muaj zgjedhor nga partitë politike.
Në takime joformale forcat kryesore politike nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme nacionale në muajin qershor.
Deri më tash, qëndrimet zyrtare të partive politike ishin në favor të përfundimit të reformës zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet e përgjithshme të mbaheshin me ligj të ri zgjedhor. Por, ky proces tashmë është zvarritur tej mase.
Ndërkohë, koalcioni qeveritar ka humbur disa deputetë dhe po has në vështërsi në punën e tij, sidomos në Kuvend, ku po ballafaqohet me mungesë të numrave.
Rasti i PTK’së ishte goditja më e madhe për koaliconin qeveritar, që tregoi hapur se Qeveria nuk i ka numrat në Kuvend për të kaluar vendimet e saj.
Burime të lajmi.net kanë treguar se partitë e koalicionit qeveritar nuk janë të interesuara të vazhdojnë qeverisjen deri në mandatin e plotë, për shkak se atyre u mungon shumica parlamentare.
Pas largimit të disa deputetëve, koalicioni aktualisht ka vetëm 55 deputetë, nga 61 sa janë të nevojshëm për të kaluar shumicën e vendimeve në Kuvendin e Kosovës.
Me këtë fuqi parlamentare në Kuvend, koalicioni nuk do mund të kalojë ligjet dhe shumë vendime të tjera, siç është, për shembull, privatizimi i Brezovicës. Partitë e koalicionit, thjesht, nuk janë të interesuara që të përsëriten situata si ajo me Privatizimin e PTK’së në fund të vitit, kur ky proces dështoi.
Edhe partitë opozitare kanë shprehur interesimin për të shkuar në zgjedhje sa më shpejt.
Ditë më parë, Isa Mustafa, lideri i partisë më të madhe opozitare, LDK, ka shprehur bindjen që mbajtja e zgjedhjeve të rregullta nacionale në pjesën e parë të këtij viti është zgjidhja më e mirë. Një qëndrim të ngjashëm e ka shprehur edhe Vetëvendosje. AAK, ndërkaq, ka thënë se është e gatshme për zgjedhje kurdo, por ka këmbëngulur që në zgjedhje duhet të shkohet me reformë, që i bie në vjeshtë, dhe vetëm ndonjë zhvillim i shpejtë mund të ndikojë që ato të mbahen në qershor.
Pasi që tashmë shpallja e zgjedhjeve për qershor në procedurë të rregullt pothuajse nuk është e mundshme, skenari i vetëm është “zhvillimi i shpejtë”, e që është rrëzimi i Qeverisë aktuale dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
Për të mbajtur zgjedhjet e rregullta në qershor nevojitet pajtimi i të gjitha partive politike, e cili do të shtynte Presidenten të shpallë zgjedhjet e reja nacionale.
Zgjedhjet, siç dihet, do të duhej të mbaheshin 6 muaj pas dekretimit nga Presidentja, në mënyrë që edhe partitë, edhe KQZ të kenë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e tyre.
Në mungesë të një konsensusi politik, opsioni tjetër është ai i rrëzimit të Qeverisë, qoftë nga opozita apo edhe nga ndonjë skenar i vetë Qeverisë, si ai i vitit 2010, i cili do t’ua hapte rrugën zgjedhjeve të parakohshme në qershor.
Por, zgjedhjet pa reformë nuk përkrahen nga Bashkësia Ndërkombëtare. Përfaqësues të saj kanë përsëritur disa herë që ky do të ishte një gabim i madh.