Komisioni i Venedikut vjen në Kosovë
Një delegacion i Komisionit të Venedikut vjen në Kosovë për të dhënë ekspertizën për Ligjin për Liritë fetare, i ftuar nga Shefi i Zyrës së BE’së, Samuel Zbogar. Kjo është hera e parë që ky Komision përfshihet në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë.

Lajme
Komisioni i Venedikut zbarkon në Kosovë, me ftesë të Shefit të Zyrës së Bashkimit Europian, Samuel Zbogar, por jo për t’u marrë me çështjen për të cilën kishte kërkuar javë më parë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ekspertët e këtij Komisioni do të rishikojnë projektligjin aktual për liri fetare.
Kjo është vizita e parë e Komisionit të Venedikut që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Sipas Nenit 3 të statutit të Komisionit të Venedikut, organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Europian, kanë të drejtë të kërkojnë një opinion për projektligjin.
Ky është një zhvillim shumë pozitiv për Kosovën që Komisioni i Venedikut mund të angazhohet përmes Zyrës së BE’së këtu”.
“Ky mekanizëm hap dyert për angazhime të mundshme në rishikimin e standardeve të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe të komentojë për legjislacionin ekzistues si dhe për projekt legjislacionin”, ka thënë Zbogar.
Delegacioni prej pesë ekspertësh do të përbëhet prej Thomas Markert, Sekretari i Komisionit të Venedikut, që është i vendosur në Strasburg.
Sipas Markert, detyra e këtij delegacioni është ekskluzivisht të rishikojë këtë ligj për lirinë fetare.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ky delegacion do të takohet me përfaqësues të Ministrive të Kosovës, me Kuvendin dhe me përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme fetare dhe palët e era kombëtare dhe ndërkombëtare të interesit. Më vonë, gjatë muajit mars, do të përgatitet një opinion për këtë pjesë të legjislacionit, i cili do të aprovohet nga Komisioni i Venedikut, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e BE’së në Kosovë.
Javë më parë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte kërkuar ekspertizën e Komisionit të Venedikut në përpjekje për të zgjidhur ngërçin rreth reformimit të sistemit zgjedhor në Kosovë.
Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit – i njohur më shumë si Komisioni i Venedikut, meqenëse ai takohet në Venedik – është organ këshillues i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese.
Roli i Komisionit të Venedikut është të ofrojë këshilla ligjore në mënyrë që t’u ndihmojë shteteve që dëshirojnë që strukturat e tyre ligjore dhe institucionale të jenë konform standardeve evropiane dhe përvojës ndërkombëtare në fushën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Komisioni ka 59 shtete anëtare: 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, plus 12 vende të tjera (Algjeria, Brazili, Kili, Izraeli, Kazakistani, Republika e Koresë, Kirgistani, Maroku, Meksika, Peru, Tunizia dhe SHBA). Komisioni Evropian dhe OSBE/ODIHR marrin pjesë në sesione plenare të Komisionit.