Kosova dha testin

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se Kosova e kaloi testin europian, me zgjedhjet lokale. E vlerëson procesin si të mirëfilltë demokratik. Sipas tij, zgjedhjet janë garantues në rrugëtimin europian të vendit.

Lajme

04/11/2013 16:16

Kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, duke thënë se Kosova dje ka kaluar testin europian me zgjedhje të lira, fer dhe korrekte.

Në një konferencë për media, Kryeministri Thaçi është shprehur se Kosova për herë të parë në historinë e saj ka organizuar zgjedhjet në tërë territorin e Kosovës, përfshirë komunat e Veriut.

“Sot për shtetin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, është një ditë e lumtur dhe e gëzuar, pasi që dje përmbyllëm një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt konsolidimit të shteti tonë, sovranitetit dhe institucioneve demokratike dhe legjitime të Republikës së Kosovës”.

“Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, pa marrë parasysh etninë, grupacionin politik, patën rastin të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në komunat ku ata jetojnë”.

“Qytetarët u deklaruan dhe votuan për përfaqësuesit e tyre në një proces të mirëfilltë demokratik, të qetë, mirë të organizuar, e me standardet më të larta ndërkombëtare”.

“Si Kryeministër i Kosovës, falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha grupet politike, për pjekurinë e treguar në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen europiane të shtetit tonë”.

“Për herë të parë në historikun e saj të pasluftës, Kosova vetë organizon zgjedhje në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe katër komunat veriore të Kosovës”.

“Kosova kaloi testin europian për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike\”.

“Për herë të parë, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova organizon zgjedhje me pjesëmarrje të të gjitha grupeve etnike në gjithë territorin e Kosovës”.

Sipas Kryeministrit Thaçi, zgjedhjet e ditës së djeshme janë kyçe për vendin, sepse, siç tha ai, qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë për të gjithë.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam jashtëzakonisht i kënaqur për shumë aspekte të arritjes që ka bërë Kosova me këto zgjedhje”.

“Këto zgjedhje janë garantues në rrugëtimin tonë europian. Ne tani kemi hapur një rrugë të sigurt për integrime europiane për procesin e Stabilizim-Asocimit dhe të liberalizimit të vizave. Këto zgjedhje janë test europian për Republikën e Kosovës. Shteti ynë  Kosova dhe qytetarët kaluan këtë test për të ardhmen e vendit”.

Duke iu referuar çështjes së Veriut, Kryeministri Thaçi tha se pjesëmarrja e qytetarëve do të ishte më e madhe, në rast se grupet kriminale nuk do ta pengonin procesin.

“Kjo pjesëmarrje e tyre do të ishte shumë më e lartë, por grupe të izoluara kriminale penguan rritjen e daljes së qytetarëve në zgjedhje. Si pasojë, qendrat e votimit u mbyllen më herët sesa që ishte paraparë me ligj”.

“Ky është hapi më i rëndësishëm dhe historik që Kosova ka marrë që nga shpallja e pavarësisë, duke krijuar mundësi ligjore për integrim dhe pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve të saj”.

“Ajo çka është e rëndësishme, qytetarët në Veri, pas 14 vjetësh, dolën në zgjedhje, u deklaruan për përfaqësuesit e tyre legjitimë, në përputhshmëri me ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Qytetarët atje votuan. Ky është argument i fuqishëm dhe legjitimimi i fortë i marrëveshjes së Brukselit më 19 prill të këtij viti”.

Deklaratat e Kryeministrit Vucic për ndërhyrje të Serbisë në Veri të Kosovës, Kryeministri Thaçi i ka cilësuar si “deklaratat qesharake”, duke thënë se diçka e tillë nuk do të mund të ndodhë kurrë.