Kosova është faktor në bashkëpunimin rajonal
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, u takua me një diplomat nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë. Folën për rolin e Kosovës në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen gjermane për shtetin e Kosovës.

Lajme
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot udhëheqësin e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hans-Ulrich Südbeck, i cili shoqërohej nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Peter Blomeyer.
Ministri Hoxhaj e njoftoi mysafirin gjerman për progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Ai ka veçuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese europiane, si dhe angazhimin e diplomacisë kosovare për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, europiane e rajonale, në kuadër të agjendës multilaterale.
Gjatë takimit, Hoxhaj ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e madhe që diplomacia dhe shteti gjerman në përgjithësi po japin për forcimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu theksoi angazhimin e vazhdueshëm dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke e vlerësuar shumë të rëndësishme në këtë rrugë përkrahjen e Gjermanisë.
Udhëheqësi i Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hans-Ulrich Südbeck, vlerësoi progresin e arritur në Kosovës si dhe qasjen konstruktive të Kosovës në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal.
Südbeck po ashtu shprehu mbështetjen e mëtutjeshme të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Südbeck po ashtu vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar vullnetin për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, thuhet në komunikatën e MPJ’së..