Kosova vajton humbjen e gjeneratës

Kosova humbi një gjeneratë të talentëve të futbollit para se FIFA t’i lejojë zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Tani, ajo planifikon krijimin e një ekipi të ri, ku yjet nuk mungojnë. Reuters trajton këtë çështje.

Sport

24/01/2014 16:02

Tifozët e futbollit në Kosovë kanë filluar të paramendojnë një “ekip të ëndrrave’ për skuadrën e tyre Përfaqësuese, pasi FIFA i lejoi shtetit të ri të Ballkanit të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, për herë të parë pas ndarjes nga Serbia.

Emri i parë në listë është mesfushori i talentuar i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, pastaj Xherdan Shaqiri nga Bayern Munich, Valon Behrami nga Napoli, Granit Xhaka i Borussia Monchengladbach, secili prej tyre me rrënjë nga ky shtet i vogël i Europës.

Por, pas disa vjetësh të kaluara në izolim të plotë sportiv, ku futbolli mbeti peng i fuqisë së madhe politike, futbollistët më të mirë dhe më të talentuar të Kosovës kanë vendosur të përfaqësojnë shtete tjera ku migruan së bashku me familjet e tij duke braktisur varfërinë dhe dhunën në Ballkan në vitet e 90’ta.

Kosova përfundimisht mund të rikthehet në hartën e futbollit botëror, por ka humbur një gjeneratë të talentëve.

“Ne do të jemi të kujdesshëm të mos i ftojmë futbollistët e përfshirë në ekipe tjera Kombëtare, tash për tash”, deklaroi për agjencinë e lajmeve Reuters, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, duke iu referuar futbollistëve si Shaqiri, që tani përfaqësojnë Zvicrën.

“Ne nuk do të qëndrojmë në rrugë, sepse ata janë të zënë me Kampionatin Botëror dhe gara të tjera të rëndësishme”.

“Por, pasi Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota e FIFA’s dhe UEFA’s , do të jetë obligim i yni moral t’i hapim dyert për futbollistët që kanë lindur këtu ose që kanë origjinë nga Kosova”, shtoi ai.

Delegacioni i FFK’së

I njohur nga më tepër se 100 shtete nga shpallja e Pavarësisë më 2008, Kosova ende është duke e forcuar statusin e një shteti sovran.

Kundërshtimet nga Serbia për ndarjen e Kosovës kanë bërë që ajo ende të mos ketë ulëse në Kombet e Bashkuara, dhe anëtarësim të plotë nga asociacionet ndërkombëtare, për çka ulësja në OKB është e domosdoshme. FIFA është një prej tyre.

Në realizimin e një kompromisi, Federata Botërore e Futbollit i lejoi Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, por pa shfaqur simbole kombëtare ose himnin e saj.

Po ashtu, Kosova nuk do të ketë të drejtë të luajë kundër asnjërës nga gjashtë shtetet e tjera nga Ish-Jugosllavia. Kosova u shkëput nga Serbia më 1999 kur NATO bombardoi për 11 javë duke larguar forcat serbe dhe ndërprerë tentimin për spastrim etnik gjatë luftës mes fuqisë dhe rezistencës.

Por, tani Kosova mund të luajë ndeshjen e parë miqësore në mars, kundër Ishujve Faro, Ganës dhe Xhamajkës, në mesin e kundërshtarëve të mundshëm.

Izolimi

Selektori Albert Bunjaku ka thënë se objektivi i parë kryesor i Kosovës është paraqitja në fushatën kualifikuese për Kampionatin Botëror 2018 në Rusi.

“Jam i përqendruar të kam futbollistë të mirë por jam i vetëdijshëm se ndeshja e parë do të jetë ajo që do ta thyejë izolimin”, deklaroi ai.

“Skuadra do të jetë e bazuar kryesisht në futbollistë të rinj si dhe të tjerë me përvojë të cilët aktualisht janë larg prej nesh por që duan të na bashkohen menjëherë, derisa objektivi ynë është Kampionati botëror 2018”.

Ekipi i ëndrrave i Kosovës

Jerome Champagne, i cili më herët gjatë kësaj jave paralajmëroi se do të kandidojë për postin e presidentit të FIFA’s vitin e ardhshëm, ka punuar si këshilltar i pavarur për FFK’n dhe përfshirjen e Kosovës në familjen e futbollit ndërkombëtar, ka shprehur gëzimin e tij për lejimin e miqësoreve.

“Për së paku 15 vjetët e fundit ata janë ndjerë të izoluar, të padashur dhe të harruar, por kjo po ndryshim. Ata ndjejnë se janë të rëndësishëm”, deklaroi Champagne.

“Kosova ka një histori të gjatë të futbollit dhe shumë futbollistë që luajnë anembanë Evropës dhe janë krenarë me rrënjës e tyre, andaj mund të kthehen tek vendlindja. Sigurisht se Januzaj mund të luajë për ta dhe kur Bayern Munich e fitoi Ligën e Kampionëve në maj të vitit të kaluar, Shaqiri mbajti dy flamuj të bashkuar: Zvicrën, për të cilën luan dhe Kosovën, prej nga vjen”, shtoi ai.

Januzaj ende nuk ka përcaktuar ekipin Kombëtar, me Belgjikën, Shqipërinë dhe Anglinë të gjitha në garë. Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi të enjten deklaroi se u mundua të kontaktojë me babanë e tij, Abedinin, por pa sukses. “Më duket më e lehtë të kontaktoj me Papa Francescon se sa Abedin Januzajn”, deklaroi ai për një televizion shqiptar.

Ylli kosovar i Man Utd. Adnan Januzaj

Ka edhe shumë kohë para se Kosova të marr leje për anëtarësim të plotë në UEFA ose FIFA. Champagne tha se vendimi i FIFA’s ishte hap i madh drejt rrugës së drejtë, por shumë sportistë dhe sportiste nga Kosova tashmë kanë zgjedhur të kalojnë jashtë vendit dhe të garojnë për shtetet e adoptuara.

Ata që kanë qëndruar përballen me kushte të papërshtatshme. I vetmi stadium i futbollit në kryeqytet, Prishtina, ka kapacitet prej vetëm 16 mijë ulësesh.

Në të ka rrjedhje uji në korridore dhe shumë prej ulëseve të plastikës janë të thyera. Stadiumi Rasunda në Suedi, nikoqir i finales së Kampionatit botëror 1958 kur Brazili mposhti Suedinë 5:1, ka dhënë donacion ulëset dhe ndriçimin, por ato ende nuk janë instaluar.

Stadiumi në Prishtinë

Kushtrim Mushica, portier i FC Prishtinës, stërvitet çdo ditë në stadiumin e kryeqytetit. Ai ka thënë se refuzoi oferta të ndryshme për të luajtur jashtë, sepse disa shtete ende nuk e njohin pasaportën e tij të Kosovës. Ai tha se shpreson të marr ftesë në Përfaqësuesen e re.

“Jam takuar me shumë futbollistë të mirë këtu por ata u tretën për shkak të izolimit dhe kushteve të këqija. Mirëpo, vendimi i FIFA’s ka hapur një derë për ne që nuk ishte asnjëherë më parë”.