Kosumi kthehet me “kërkesë” të qytetarëve

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka prezantuar anëtarin më të ri të saj, ish- kryeministrin  e Kosovës, Bajram Kosumi.  Ky i fundit tha se politikës po i kthehet pasi ka vërejtur se një gjë e tillë kërkohet edhe prej qytetareve.

Lajme

13/05/2014 14:36

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka çmuar lartë figurën e profesorit universitar Bajram Kosoumi, duke e vlerësuar kontributin e tij si të nevojshme për Kosovën.

“Shoqëria kosovare ka nevojë për energjitë e tij, për sinqeritetin e tij dhe punën tij. Prandaj ju them se që nga sot Kosumi është pjesë përbërëse e AKR-së, pjesë përbërëse e lidershipit të AKR-së”, tha Pacolli.

Pacolli tha se Kosumi nuk ka kërkuar kurrfarë posti, porse sipas tij, AKR do të jetë e  kujdesshme ndaj njerëzve që kanë përvojë në karrierën politike  çfare e ka Kosumi.

Ndërkaq, ish- anëtari i AAK-së, i cili në zgjedhjet e fundit nacionale ishte në listën e PDK-së, për deputet të Kosovës, tha se politikës po i kthehet për arsye se ka vërejtur se një gjë të tillë e kërkojnë edhe qytetarët.

“Në këto katër vite sa herë që kam dal diku jashtë dhe kam folur me njerëz, me qytetarët të Kosovës, dhe kemi folur për proceset politike, nuk kanë mbetur një pa më pyetur se cfarë po bëj, pse s’po kyçem në politikë?”, tha Kosumi.

Kosumi premtoi se do të japë gjithë potencialin e tij, për të kontribuar në të mirën e vendit. Ai tha se AKR-në e ka zgjedhur sepse është partia e cila nuk merret me ideologji, por me zhvillim ekonomik.

Në këtë shkallë të zhvillimit , në këtë demokraci moderne, ideologjia e ngurtë nuk kryen shumë punë. Ideologjitë e partive duhet t’u lëshojnë vend projekteve konkrete të partive tjera, projekte për zhvillim që partia i ofron qytetarit. Unë nuk e kam pa te partitë tjera, por e kam parë këtë tek AKR-ja. AKR, flet për projekte konkrete që ja ofron qytetarit”, tha Kosumi.