Krasniqi kërkon mbikëqyrje për privatizimin

Jakup Krasniqi tha se procesi i privatizimit në Kosovë është përcjellë me parregullsi të shumta. Ai tha se ky proces nuk ka sjellë efektet e kërkuara për ekonominë e Kosovës. Kërkoi që të formohet një agjencion që mbikëqyrë dhe vlerëson privatizimet e bëra.

Lajme

23/01/2014 12:17

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duke marrë shkas nga debati i thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, për çështjen e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve, ka thënë se procesi i privatizimit në Kosovë, në përgjithësi,  është përcjellë me parregullsi të shumta.

“Një gjë mendoj se të gjithë e kemi të qartë, të qartë e ka edhe opinioni, procesi i privatizimit jo vetëm në rastin e Fabrikës së Amortizatorëve për të cilën po flasim sot, por dhe shumë ndërmarrje të tjera shoqërore dhe publike, është përcjellë me vërejtje të shumta”.

Krasniqi tha se dihet që procesi i privatizimit nuk ka pasur efektet e dëshiruara. Ai tha se Kosova ka një ekonomi të dobët, e ka mungesë të vendeve të punës.

“Edhe një gjë tjetër të gjithë e dimë, nga procesi i privatizimit nuk janë arritur efektet e dëshiruara. Kosova nuk ka zhvillim ekonomik, Kosova nuk ka fituar në punësim, në vende të punës”.

Krasniqi tha se debatet e tilla në Kuvendin e Kosovës, kur deputetët kanë dyshime se një proces është përcjellë me parregullsi, nuk duhet që t’i frikësojë investitorët e mundshëm.

“Unë konsideroj që kërkesa e Kuvendit dhe e deputetëve për të debatuar dhe për t’i shfaqur shqetësimet dhe kërkesat e veta, në privatizimet e bëra kundër bazës ligjore, kundër ligjeve në fuqi, nuk duhet t’i frikësojë investitorët”.

“Investitorët duhet t’i frikësojë fakti se privatizimi është bërë pa ligje, është i paligjshëm. Prandaj, nuk e shoh të arsyeshme që ky debat, i cili kërkon rregullsi dhe ligjshmëri në procesin e privatizimit t’i frikësojë investitorët”.

“Investitorët që kërkojnë sundim të ligjit, investitorët që i bëjnë 100 marifete të tjera sigurisht që kanë, dhe nëse funksionon ligji, ata duhet të frikësohen”.

Kryeparlamentari Krasniqi tha se duhet formuar një agjencion i cili do të mbikëqyrte proceset e privatizimit. Ai përmendi edhe shtetet e tjera të Europës, ku në rast se janë gjetur parregullsi në një proces, i gjithë procesi i privatizimit është kthyer në pikën zero.

“Shumë vende të Europës që kanë kaluar nëpër tranzicion, i janë kthyer rivlerësimit të procesit të privatizimit dhe aty ku ka pasur parregullsi, realisht është krejt normale që të përsëritet procesi i privatizimit nga fillimi”.

“Ne nuk po diskutojmë për ndërmarrjet që janë privatizuar mbi bazën e ligjit, por ne e kemi një CD, e kemi një material, që ka renditur disa argumente se ky privatizim dhe disa privatizime të tjera, janë bërë në mënyrë të parregullt, të paligjshme dhe si të tilla, realisht Kosovës i duhet ta krijojë një agjencion i cili mbikëqyr procesin e privatizimit”.

“Aty ku shihet se nuk ka shkuar në rregull duhet të ketë një vlerësim dhe kthim në pikën zero”- tha Jakup Krasniqi.