Krimi i pandëshkuar me drejtësi

9:03 | 15 Maj 2019

Foto nga: Blerim Shala

Duhet të vihet drejtësia në vend. Dhe autoritetet më të larta të Beogradit duhet të njohin krimet që janë bërë njëzet vjet më parë në Kosovë.

Emocionet janë po ato, të njejtat, edhe pse në ndërkohë, janë bërë njëzet vjet të plota.

Gjithçka kujtohet thuajse ka ndodhur dje.

‘Kalendari i tmerrit’ i pranverës së vitit 1999-të, njeh pothuaj çdo ditë të lume, prej gjysmës së dytë të muajit mars, e deri në fillim të qershorit, kur forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kanë bërë krime lufte, të cilat nuk kanë si të mos kualifikohen si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në të katër anët e Kosovës.

Ishte kjo shprehje e një mllefi të dyfishtë të pushtetit të Serbisë së atëhershme.

Në njërën anë ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët ishin fare të pafuqishëm dhe të pambrojtur nga këto trupa me mandat të shfarosjes së tyre.

Në anën tjetër, ndaj Aleancës Veri-Atlantike, e cila ishte në krye të një fushate ajrore kundër pushtetit të Serbisë, i cili refuzoi në mënyrë kategorike një Marrëveshje paqësore me Delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambouilletit.

Përmasat e kësaj tragjedie, e këtij krimi do të kuptoheshin vetëm pas 12 qershorit, apo pas mbarimit të luftës.

Në të gjitha ngjarjet, tubimet që sivjet po mbahen në vendet e krimeve të mëdha ku janë ekzekutuar mijëra shqiptarë të të dy gjinive dhe të tre brezave, na rikthehen, në fakt, të njejtat pamje të cilat na përcjellin tash e njëzet vjet me rradhë, në çdo pranverë.

Kujtohen të vrarët, shfaqen familijarët e tyre me dhimbjen që nuk është aspak më e vogël se sa që ka qenë atëherë, ndërsa mllefi është vetëm në rritje e sipër, sepse ata sot e kësaj dite ndihen të pafuqishëm karshi këtij krimi që nuk vjetërohet dhe që nuk harrohet dot.

Shumëçka, në këtë aspekt, do të ishte më ndryshe për ta, por edhe për të gjithë ne, si shoqëri kosovare, po të ndodhnin gjërat që është dashtë të shënohen në atë Kalendarin politik të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Së pari, udhëheqësia e Beogradit është dashtë të pranojë që në Kosovë kanë ndodhur krime të tmerrshme, të cilat do të duhej të ndëshkoheshin gjithqysh, në radhë të parë, me vendosjen e drejtësisë për ata që janë autorë dhe urdhërues të tyre.

Tribunali i Hagës nuk arriti ta adresojë dhe ta përmbyllë si duhet këtë çështje.

Së dyti, autoritetet më të larta të Serbisë, pranimin e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë për tragjeditë e shkaktuara në Kosovë, është dashtë ta artikulojnë edhe me gjeste të kërkimit të faljes, dhe të përkuljes para ndonjërit prej vendeve të shumta të krimit.

Këto autoritetet e sotme të Serbisë që kanë qenë në pushtet edhe në vitet e luftës, jo vetëm që nuk e kanë bërë asnjërin prej këtyre veprimeve, për më shumë, viteve të fundit ato kanë rehabilituar politikanë dhe oficerë të lartë serbë, të cilët i pati dënuar Tribunali i Hagës për krime lufte.

Së treti, Serbia është dashtë të pajtohej me krijimin e shtetit të Kosovës, dhe madje, të bëhej njëri prej shteteve të para që do ta njihte pavarësinë e Kosovës, duke synuar normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovës.

Po të bëheshin këto tri veprime të udhëheqësisë së Serbisë, familijarët e viktimave të luftës, kjo shoqëri kosovare, politika e vendit, do të kishin një lehtësim, do të ndiheshin më të qetë, në të gjitha këto ngjarje kur po shënohet njëzet vjetori i krimeve të mëdha në të gjitha anët e Kosovës.

Madje, në ato rrethana, do të mund të flitej edhe për një pajtim historik në mes të Kosovës dhe Serbisë, të shqiptarëve dhe serbëve.

Këto pritje, këto shpresa, veçmas kohëve të fundit, po tregohen të kota.

Marrëdhëniet Kosovë – Serbi janë më të këqijat se kurrë, që prej se ka përfunduar lufta në qershorin e vitit 1999-të.

Në anën tjetër, edhe poqëse do të ndodhë mëkëmbja e dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, poqëse njëmend synohet që kjo Marrëveshje të jetë gjithpërfshirëse, atëherë, nuk ka si to mës mirren parasyshë ato dy veprimet e para të këtij tre-hapëshi politik për t’i dhënë fund një armiqësie shekullore të Serbisë ndaj nesh, si Kosovë dhe si shqiptarë.

Duhet të vihet drejtësia në vend. Dhe autoritetet më të larta të Beogradit duhet të njohin krimet që janë bërë njëzet vjet më parë në Kosovë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)