Kryetari i Mitrovicës së Veriut do të jetë serb

Goran Rakic i “Listës Serbe” shprehet i bindur se do të fitojë në garën për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Kandidati për Kryetar Komunës thotë se pa këtë subjekt politik, nuk do të ketë Bashkësi të Komunave Serbe në Kosovë.

Lajme

01/02/2014 11:12

Kandidati i “Listës Serbe” për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic, është shprehur i bindur se do të fitojë pozitën e të parit të kësaj komune në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në këtë komunë më 23 shkurt.

Rakic ka thënë për Televizionin Most të Zvecanit se është normale që Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut të jetë nga radhët e Listës Serbe, pasi që “qytetarët e këtij qyteti i besojnë shtetit të tyre, Serbisë”.

“Nuk do të ketë Bashkësi të Komunave Serbe në Kosovë pa Listën Serbe”.

“Ne dëshirojmë që të marrin përgjegjësi për funksionimin Mitrovicës së Veriut në mënyrë që qytetarëve t’i sigurojmë jetë sa më kualitative”.

Përkrah Rakic, kandidatët tjerë për Kryetar të Mitrovicës janë kandidati i Iniciativës Qytetare “SDP”, Oliver Ivanovic i cili aktualisht gjendet në paraburgim i akuzuar për krime lufte.

Në garë janë edhe Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Musa Miftari nga Lidhja Demokratike e Kosovës.