Kryeziu përkrah 100 për qind koalicionin LDK-PDK

Eqrem Kryeziu thotë se do të ishte një fitore shumë e madhe për Kosovën dhe rrugën e saj evropiane po sikur pas këtyre zgjedhjeve të bëhej transferi i pushtetit. Ai vazhdon të insistojë se do të ishte në interes të Kosovës një koalicion LDK-PDK, i cili do të ofronte garanci për qeveri antikorrupsion.

Lajme

13/05/2014 09:10

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka thënë se LDK është e përgatitur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 8 qershor.

Në një intervistë për “Epokën e re” Kryeziu ka thënë se e përkrah plotësisht një koalicion PDK-LDK.

“Në qoftë se do të kishim garanci nga partitë e mëdha, se tani është koha e fundit kur duhet të trandemi nga përgjumja dhe të bëhet një qeveri antikorrupsion, natyrisht se do ta përkrahja 100 për qind një koalicion LDK-PDK” duke shtuar se, nëse LDK-ja dhe PDK-ja i ofrojnë kuadrot e tyre më të mira, që nuk kanë afera korruptive, atëherë ky koalicion do të ishte në interesin e të gjithëve.

Sipas Kryeziut, oferta e LDK-së për zgjedhjet parlamentar është më e mira, duke thënë se fitorja e LDK-së do të ishte një e mirë për Kosovën.

“Në programin e LDK-së janë angazhuar më shumë se 70 ekspertë të fushave të ndryshme, mbi të cilat mbështetet platforma jonë për Kosovën, e cila mendoj se është më e mira”.

“Të them të drejtën unë jam duke bërë të drejtën edhe unë jam duke bërë një parafushatë të vogël. Do të ishte fitore shumë e madhe për Kosovën dhe rrugën e saj evropiane sikur të bëhej transferi i pushtetit”, ka thënë ai në “Epoka e re”.