Kurti ankohet për kallëzimin penal ndaj Thaçit e Veselit: Prokurorë me flladitëse

21:27 | 25 Qershor 2019

Foto: Albin Kurti

Kryetari i VV-së është ankuar tek prokurorët e shtetit të Kosovës.

Ankesa e tij ka të bëjë në lidhje me kallëzimin penal që ai dhe shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, kanë dërguar ndaj kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit si dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti i ka cilësuar si “prokurorë me flladitëse”.

Ky është postimi i Kurtit:

Prokurorë me flladitëse

Askush nuk na thirri as sot, nga prokuroria e shtetit. U mbushën dy muaj që me Glaukun patëm dorëzuar kallëzimin penal. Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit kanë gënjyer e shpifur nën betim. Në procesin gjyqësor kundër kinse pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”, më 28 dhjetor 2018, kanë thënë një mal me të pavërteta. Prej asaj se dora ime dhe e Glaukut i paska shkruar komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, te veshi i Presidentit që paska dëgjuar urdhër për vrasje nga ne, e deri te njëfarë krahu i armatosur i VETËVENDOSJE!-s.

Gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka, por kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo sigurisht se do të duhej t’ishte detyrë fort interesante për prokurorët. Ama jo edhe për këta tanët, meqë asnjëri, ama bash asnjëri, ende nuk na thirri, asnjërin prej neve dyve, as në ditën kur filloi muaji i tretë i moskokëçarjes së tyre. Thua se këta prokurorë populli ynë i varfër po i paguan veçse për t’u bërë fresk kriminelëve?. /Lajmi.net/