Kurti: Qeveria Thaçi 3, fatkeqësi për Kosovën

Fatkeqësi të madhe për vendin e ka vlerësuar Albin Kurti, mundësinë e një qeverie të tretë në krye me Hashim Thaçin. Ai ka thënë se kryeministri në ikje po vazhdon me gënjeshtra e vjetra dhe pasurinë e shtetin po e përdor sikur të ishte e tija.

Lajme

13/05/2014 16:35

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse vendi do të udhëhiqej edhe për një mandat nga Hashim Thaçi, do të ishte fatkeqësi e madhe për Kosovës.

Ai në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kryeministri Thaçi ka gënjyer në vazhdimësi dhe gënjeshtrat po i vazhdon edhe me premtimin për shifrën më të madhe të mundshme 1 miliardë e gjysmë euro.

“Ai po sillet në mënyrë private në sferën publike, thuajse paratë e Kosovës janë paratë e tij, ato janë paratë e taksapaguesve të Kosovës, janë paratë e qytetarëve, të shtetit, dhe kjo është sjellje tërësisht e papërgjegjshme”.

“Unë nuk mendoj që ka njeri normal në Kosovë, i cili pas të gjithë këtyre gënjeshtrave të kryeministrit për vite me radhë, tash do të mund t’i besonte kësaj gënjeshtre, e cila e ka shifrën më të madhe të mundshme 1 miliardë e gjysmë euro… Nuk mendoj që mund të ketë Qeveri Thaçi 3, dhe kjo do të ishte një fatkeqësi tejet e madhe me pasoja të pakthyeshme për qytetarët e Kosovës dhe për Kosovën si Republikë”, ka thënë Kurti.

Ai ka përsëritur qëndrimin e Vetëvendosjes, se nuk do të hynë në koalicion me asnjë subjekt nëse ata nuk janë të parët.

Ndërkaq, marrëveshjet për bashkëqeverisje të paralajmëruara nga LDK dhe AKR, i ka quajtur jo parimore.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk do të bashkëqeverisë pa qenë një herë, subjekti i parë. Pra, vetëm kur Lëvizja Vetëvendosje del e para në zgjedhje do ta formojë koalicionin qeverisës, duke shikuar përputhjen programore dhe besimin e ndërsjellët”.

“Është evidente për bindjen time që partitë e tjera kanë bërë pazare nga më të ndryshmet, kanë qenë një herë dy nga dy e një herë të trija bashkë, e kështu me radhë, dhe këto nuk janë parimore, nuk janë as konceptuale, këto janë thjeshtë bashkëpunime për pushtet, e kundër shtetit.”, ka thënë Kurti për KosovaPress.

Ai vlerësoi se zgjedhjet është dashur të mbahen me 15 qershor, por Jahjaga me shpalljen e 8 qershorit si datë të zgjedhjeve po tregon që po ja mban anën kryeministrit.

“Në përgjithësi në Kosovë, sa më herët zgjedhjet aq më mirë është, mirëpo për shkak të nevojave teknike dhe logjistike të KQZ-së, do të ishte shumë më mirë që të ishin zgjedhjet me datën 15 qershor sepse së paku do të ishte edhe një javë, e fundit, që mund të ketë peshë të madhe, kur kemi të bëjmë me mbarëvajtjen e procesit, sidomos me përgatitjen e tij. Mirëpo, u bë siç u bë, presidentja Jahjaga po duket qartazi se ia mbanë ison kryeministrit dhe tash e kemi datën e 8 qershorit si zgjedhje të ardhshme për të cilën ne po i bëjmë përgatitjet maksimale”, shprehet Kurti.

Kurti, ka bërë të ditur se lista e kandidatëve për deputetë nuk do të jetë e renditur sipas alfabetit sikundër ka qenë në zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Këtë herë, Kurti tha se 3 të katërtat e kandidatëve për deputetë vijnë nga qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq pjesa tjetër propozohet nga kryetari, dhe më pas bëhet renditja e tyre.

Ai thotë se alternativa qeverisëse e Vetëvendosjes ka 20 kapituj, 3 shtylla, dhe 11 tema, e deklarimet për heqjen e TVSh-së për shportën familjare, thotë se do ta realizojë duke qeverisur me vendin, me sponsorisimin e ligjeve të reja. Sipas tij, pa politika sociale që do ta luftojnë pabarazinë, do të ketë gjithmonë edhe varfëri në shoqëri, por edhe dhunë.