LDK akuzon Qeverinë për sigurinë në shkolla

LDK vlerëson se Qeveria e Kosovës nuk ka treguar përkushtim për sigurinë në shkolla. Kjo parti kërkon nga MASHT dhe MPB të punojnë që gjendja e sigurisë të përmirësohet. LDK kërkon përgjegjësi politike për sigurinë nëpër shkolla.

Lajme

28/01/2014 14:00

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar me gjendjen e sigurisë në shkollat e Kosovës ndërsa ka shprehur ngushëllime për vrasjen e një nxënësi sot në Mitrovicë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së edhe një nxënësi sot në Mitrovicë dhe është tepër e shqetësuar me gjendjen e keqe të sigurisë në shkollat e Kosovës”.

“Kryetari Mustafa dhe strukturat drejtuese të LDK’së i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes së nxënësit që humbi jetën”.

LDK e mban Qeverinë përgjegjëse për pasigurinë në shkolla dhe thotë ekzekutivi nuk ka treguar asnjë përkushtim për këtë çështje.

“LDK’ja mban përgjegjëse për pasigurinë në shkolla Qeverinë, e cila në vijimësi nuk ka treguar asnjë përkushtim në raport me sigurinë”.

“Rasti i pak ditëve më parë në Prishtinë dhe ky në Mitrovicë dëshmojnë për mungesë të plotë të sigurisë dhe mungesë përkushtimi për t’u përmirësuar sado pak ajo”.

LDK kërkon masa konkrete të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Brendshme që gjendja e sigurisë të përmirësohet.

“LDK-ja kërkon masa konkrete, sepse me nënshkrime memorandumesh ndërmjet MASHT-i dhe Ministrisë së Brendshme, kur ato nuk implementohen, gjendja e sigurisë nuk mund të përmirësohet”.

“LDK-ja kërkon përgjegjësi konkrete dhe politike nga të gjitha institucionet përgjegjëse për organizimin e procesit mësimor dhe të garantimit të sigurisë në shkolla”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.