LDK akuzon Shpend Ahmetin për mashtrime

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Shpend Ahmeti po vazhdon me deklarime të pavërteta. LDK’ja ka ftuar edhe një herë Shpend Ahmeti të fillojë realizimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore e mos të merret me mashtrime të tjera.

Lajme

05/02/2014 13:55

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Shpend Ahmeti po vazhdon me deklarime të pavërteta.

Sipas LDK’së, Shpend Ahmeti deklaroi dje se investimet në infrastrukturë janë bërë pa projekte.

“Kjo tregon për injorancën e tij dhe të ekipit që ka zgjedhur lidhur me punët e pushtetit lokal”, thuhet në reagimin e LDK’së.

“Sqarojmë se të gjitha kontratat e lidhura nga Komuna e Prishtinës janë bazuar plotësisht në Ligjin e Prokurimit Publik, të cilin z. Ahmeti nuk e njeh dhe në të cilin nuk specifikohet projekti kryesor si kusht për të shpallur tenderin dhe për të lidhur kontratën”.

“Sqarojmë z. Ahmeti se janë dy lloje të projekteve infrastrukturore: rindërtimet e rrugëve ekzistuese dhe ndërtimet e rrugëve e reja. Kontratat për rindërtim të rrugëve ekzistuese janë bërë kryesisht me paramasa, pasi për projekt kryesor është shfrytëzuar projekti bazik kur është ndërtuar rruga. Në rastet e ndërtimit të rrugëve të reja gjithmonë është përgatitur projekti kryesor zbatues”.

“E informojmë z. Ahmeti se më 8 janar 2014 KRPP-ja ka dërguar në të gjitha institucionet publike Udhëzimin administrativ, që është legjislacion sekondar për prokurimin publik, i cili saktëson se para se të shpallen tenderët duhet të përgatitet projekti kryesor. Më parë nuk ka qenë kërkesë ligjore përgatitja e projektit kryesor”.

“Vlerësojmë se këto deklarime të pavërteta të  Ahmeti kanë për qëllim të vetëm largimin e vëmendjes së qytetarëve nga mashtrimet që ka bërë gjatë fushatës elektorale”.

LDK’ja ka ftuar edhe një herë Shpend Ahmeti të fillojë realizimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore e mos të merret me mashtrime të tjera.

“Punët në komunë bëhen në baza ditore dhe asnjë punë nuk mund të kompenzohet me konferenca të kota, me tentim për shantazhe në rrjetet sociale dhe mashtrime të përditshme”.

“Kryetari i Prishtinës duhet të jetë serioz dhe i përgjegjshëm. Komuna nuk administrohet pa njohje të legjislacionet, pa njohje të adminstrimit dhe pa vullnet për punë”.