LDK e VV marrin detyra nga PDK

Burim Ramadani i AAK’së akuzon LDK’në e Vetëvendosjen për jetëgjatësinë e Qeverisë Thaçi. Të parat, marrin detyra nga PDK’ja dhe sipas tij, janë të lidhura edhe natën. LDK e VV vendosin haraç dhe që të dyja kanë njerëz të kriminalizuar, thotë ai.

Lajme

23/01/2014 08:27

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, u është kundërpërgjigjur akuzave të zyrtarëve të LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje se partia e tij po ia mban anën Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për ‘Epokën e re’, Ramadani ka thënë se janë pikërisht këto dy parti opozitare që janë duke mbajtur në pushtet PDK’në dhe kryeministrin Thaçi.

Në këtë kontekst, Ramadani ka thënë se LDK’ja dhe Vetëvendosje janë duke marrë detyra nga PDK’ja.

“A kanë ndonjë logjikë këta njerëz që flasin dhe bëjnë strategjitë e LDK’së dhe të VV’së? Merren me AAK’në ditën dhe natën, pandërprerë. Për më keq, vetëm shpifin kundër AAK’së”.

“Por duket qartë se ekziston koordinim me njerëz të caktuar të PDK’së, qoftë brenda apo jashtë Qeverisë dhe Kuvendit aktual”.

Ramadani thotë se të dyja partitë opozitare vendosin haraç dhe vetë ata kanë njerëz të kriminalizuar. Po ashtu, haraç vendos edhe Qeverinë e Kosovës, thotë ai.

“Haraç vendosin vetë dhe njerëz të kriminalizuar kanë vetë, të dy partitë. Haraç vendos Qeveria e Kosovës. Haraç vendosin, përveç PDK’së, për të cilën gjithë bota e ka kuptuar, edhe LDK’ja dhe VV’ja”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, përçarjen e opozitës më së shumti e kanë ndihmuar LDK dhe Vetëvendosje, derisa i quan të dyja si të pa zonja që ta trajtojnë korrupsionin e keqmenaxhimit qe 7 vjet.

“Unë e kam të qartë se LDK’ja dhe VV’ja e kanë kuptuar se nuk janë të zotët të trajtojnë rreth 1 miliard euro korrupsion e keqmenaxhimin gjatë këtij 7 vjetëshi”.

“LDK’ja për shkak se edhe vetë ka qenë pjesë e këtyre manipulimeve dhe korrupsionit, ndërsa VV’ja për shkak se ka lidhje të ngushta me rrjete të caktuara brenda PDK’së”, ka thënë Burim Ramadani për ‘Epoka e Re’.