LDK garanton një qeverisje që zbaton ligjin

LDK ka në qendër të programit të saj zhvillimin ekonomik, me qasje në përkrahje të ndërmarrjeve të vogla private. Vjosa Osmani tha se LDK do të qeverisë me njerëz me duar të pastra dhe të cilët do të kenë guximin që të luftojnë korrupsionin në Kosovë.

Lajme

15/05/2014 23:50

Lidhje Demokratike e Kosovës në thelb të programit të saj qeverisës ka zhvillimin ekonomik. Duke shpalosur programin e partisë së tij, Kujtim Shala tha se programi përbëhet nga katër shtylla.

Shtylla e parë është sundimi i ligjit, shtylla e dytë – zhvillimi ekonomik e punësimi, e treta – arsimi e shëndetësia, dhe shtylla e katërt – integrimet”.

“Kemi në themel tregun social të punës, që do të thotë se ne i japim përparësi ndërmarrësisë private”, tha Shala në emisionin “Zona Zgjedhore” në Klan Kosova.

Duke folur për fushën e ekonomisë, Avdullah Hoti tha se qeverisja e LDK-së pretendon që të ndryshojë komplet sistemin e ekonomisë.

\”Vlerësojmë se ekonomia do të jetë shtyllë kryesore e qeverisjes së LDK-së. Do të ndërrojmë komplet modelin e qeverisjes në fushën ekonomike për të ndryshuar astë prej një ekonomie që mbështetet në sektorin publik në ekonomi që i jep mbështetje sektorit privat\”.

“Ne do ti reformojnë politikat fiskale për të mundësuar që sektori privat të marrë frymë. Do të bëjmë përshkallëzimin e TVSH-në për 5 për qind. Do e targetojmë uljen e ekonomisë joformale. Do të heqim menjëherë monopolin e arkave fiskale. Tek sektori privat do të heqim të gjitha ngarkesat për teknologji informative, do të ulim normën e tatimit në qarkullim për bizneset e vogla”.

“Ne jemi zotuar se do të trefishojmë buxhetin për bujqësi. Do të bëjmë subvencionimin e normave të kamatës. Tre vjetët e parë të qeverisjes do të krijojmë rreth 120 mijë vende të reja pune në gjithë zingjirin e sektorit të bujqësisë”, premtoi Hoti.

“Ne do të kemi rritja të pagave të vazhdueshme në përputhje me rritjen e ekonomisë së shtetit”.

Vjosa Osmani tha se LDK do të qeverisë me njerëz që nuk janë të korruptuar dhe kanë guxim që të luftojnë korrupsionin.

Ajo tha se në Kosovë ekziston një mafi, të cilën LDK do ta shpërbëjë.

“LDK në radhë të parë do të qeverisë me njerëz që janë të pastër para ligjit dhe njerëz që e kanë guximin që luftën kundër korrupsionit ta çojnë në veprim dhe jo të mbetet vetëm në aspektin deklarativ”.

“LDK garanton një qeverisje që zbaton ligjin. Nuk dëshirojmë të luajmë rolin e prokurorisë dhe gjyqësorit dhe ne garantojmë se nuk do të ketë ndërhyrje politike në këto institucione”.

“Në Kosovë ekziston një mafi dhe ekziston vetëm një mënyrë për ta luftuar atë dhe ajo është ndërrimi i pushtetit. Sepse, nuk mund të luftohet mafia nga vet ata që e kanë krijuar”, u shpreh ajo.