LDK: KQZ duhet ndalë fushatën e parakohshme të Thaçit

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka akuzuar kryeministrin në largim, Hashim Thaçin, për nisje të fushatës para kohe. LDK i ka bërë thirrje KQZ-së dhe organeve tjera kompetente që t’i parandalojnë veprimet e tilla.

Lajme

10/05/2014 16:06

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Kryeministrin në largim, Hashim Thaçin, për nisje të fshuatës para kohe. Sipas LDK-së, veprimet e fundit të Thaçit janë shkelje e rëndë e rregullave demokratike dhe keqpërdorim i fondeve publike për qëllime partiake dhe promovime grupore e personale.

LDK për mes një komunikate për media i ka bërë thirrje KQZ-së dhe organeve tjera kompetente që të parandalojnë veprime të tilla

“Veprimet e fundit të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, për nisjen e fushatës parazgjedhore, para afateve të përcaktuara me ligj, janë shkelje e rëndë e rregullave demokratike dhe keqpërdorim i fondeve publike për qëllime partiake dhe promovime grupore e personale”.

“Publikimi i panove ditën e shtunë me imazhe elektorale, janë shkelje e rëndë e rregullave demokratike dhe keqpërdorim i parave të taksapaguesve kosovarë”.

“I bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve tjera relevante që merren me organizimin e zgjedhjeve që të parandalojnë veprime të tilla, të cilat cenojnë një proces zgjedhor i cili pasqyron vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK, ka kërkuar edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovës, që krahas monitorimit të procesit zgjedhor, të monitorojnë edhe veprimet e subjekteve politike për respektimin e rregullave dhe afateve zgjedhore.

Po ashtu, LDK-ja i fton subjektet politike si dhe gjithë qytetarët që të respektojnë procedurat dhe afatet ligjore për zgjedhjet nacionale, në mënyrë që vullneti i qytetarëve për ndryshim të mos cenohet në asnjë mënyrë.