LDK kritikon Qeverinë për izolim

Vjosa Osmani thotë se procesi i integrimit ka qenë i mbushur me premtime boshe dhe pa veprime konkrete politike. Ajo mendon se liberalizimi i vizave do të vijë kur qeverisja e Hashim Thaçit do të largohet.

Lajme

23/01/2014 16:01

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se Qeveri a e udhëhequr nga Hashim Thaçi nuk mund ta bëjë liberalizimin e vizave.

Ajo është shprehur se procesi i integrimit europian ka qenë i mbushur me deklarime boshe dhe pa veprime konkrete nga Qeveria e Kosovës.

“Ghetoizimi i qytetarëve të Kosovës duhet të marrë fund. Por, çdo vit e më shumë po dëshmohet se ky izolim do të marrë fund vetëm kur t’i jepet fund qeverisjes Thaçi”.

“Deklarimet e zyrtarëve të Qeverisë se lëvizja pa viza do të ndodhë këtë vit apo atë vit vazhduan, duke zhgënjyer kështu vazhdimisht qytetarët e Kosovës dhe duke dëshmuar se për këtë Qeveri, procesi i integrimit europian nuk është gjë tjetër pos një proces i mbushur me deklarime boshe politike, por pa veprime konkrete dhe pa plotësim kriteresh”.

“Si rezultat i kësaj mosaftësie për të ndërmarrë reformat e nevojshme politike, procesi i integrimit europian ka degraduar jashtëzakonisht shumë”.

Deputetja Osmani, po ashtu, ka thënë se deklarimet e Kryeministrit Thaçi se liberalizmi do të ndodhë shpejt, u demaskuan nga Ulrike Lunacek ditë më parë.

LDK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet seriozisht në proceset integruese të Kosovës.

“Para gati 4 vjetësh, qytetarëve të Kosovës u premtua lëvizja e lirë. Ky premtim i dhënë nga Kryeministri Thaçi, edhe pse në kohë fushate elektorale, ngriti pritjet e qytetarëve, të cilët ende po mbesin të ghetoizuar, si rezultat i keqqeverisjes të atyre që premtuan dhe garantuan se lëvizja pa viza do të ndodhë shumë shpejt”.

“Se premtimet e Kryeministrit për liberalizimin janë shumë larg realitetit, u demaskuan ditë më parë edhe nga raportuesja për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek, e cila deklaroi se liberalizimi nuk do të bëhet gjatë këtij viti dhe se kjo mund të ndodhë në 2-3 vjetët e ardhshme”.

“LDK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve që urgjentisht dhe seriozisht ta trajtojnë Planin e Veprimit për Liberalizimin e Vizave, t’i adresojnë të gjeturat e raporteve të fundit të progresit dhe të angazhohen shumë seriozisht në procesin e negocimit të MSA’së”.