Legjislatura më e dobët shkoi

KDI me anë të një raporti vlerëson se legjislatura e fundit qysh në ditët e para është përballur me veprime antikushtetuese. Thuhet se asnjë grup parlamentar nuk ka arritur ta përfundojë mandatin me numra të njëjtë të deputetëve. Ndërsa, në bazë të këtij raporti del që deputeti më aktiv ishte Visar Ymeri, e më pasivi Sreten Ivanoviq.

Lajme

10/05/2014 13:03

Legjislatura e katërt që shkarkoi vetën javën e kaluar, është cilësuar si më e dobëta në historinë e Kuvendit të Kosovës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)  në një konferencë për media ka shpalosur të dhënat nga monitorimi katër vjeçar i kësaj legjislature. Në këtë përmbledhje janë vërejtur një varg shkeljesh dhe parregullsish që vlerësohet se kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kuvendit të Kosovës gjatë këtij mandati.

Driton Selmanaj nga KDI, thotë se qysh në ditët e para të saj, kjo legjislaturë është përballur me veprime antikushtetuese.

“Rastet që kanë dëmtuar rëndë imazhin e këtij institucioni ka qenë që qysh në ditët e para ky institucion është ballafaquar me veprime antikushtetuese”.

“Veprimi i parë anti-kushtetues ishte zgjedhja e Presidentit Behgjet Pacolli të cilën e konfirmoi edhe vetë Gjykata Kushtetuese. Trajtimet e vendimeve të Gjykatës, kanë qenë çështje të tjera të cilat kanë dëmtuar rëndë imazhin e këtij institucioni”.

“Në Kosovë kanë ndodhur dy raste kur Kuvendi i Kosovës i ka marrë në trajtim, rasti “Kiçina” dhe rasti për fabrikën e tubave”.

Nga të dhënat e  këtij monitorimi, del se asnjë grup parlamentar nuk e përfunduar mandatin me numra të njëjtë të deputetëve. PDK e ka filluar me 34 deputetë e ka përfunduar me 30. LDK me 27 e ka përfunduar me 29. Vetëvendosje me 14 deputetë e ka përfunduar me 13. AAK me 12 dhe ka përfunduar me 13, ndërsa AKR e ka filluar 8 dhe e ka përfunduar me 7.

Veprimet tjera që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e këtij institucioni është edhe mbikëqyrja e dobët parlamentare. Kjo sipas këtij monitorimi, ka ardhur si rezultat i hezitimit të ministrave për t’u mos u përgjigjur pyetjeve parlamentare.

Kjo legjislaturë është karakterizuar me gjuhë të ashpër të debatit. Si tendecë për të penguar punën e Kuvendit janë parë veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje, në kohën kur po ratifikohej marrëveshja e 19 prillit.

Një çështje tjetër që e ka penguar këtë legjislaturë ka qenë papërgjegjësia e deputetëve për të qëndruar në seanca plenare. Rreth 70% e seancave plenare janë detyruar të ndërpriten për shkak të mungesës së deputetëve.

Sfidat me të cilat është ballafaquar Kuvendi, megjithëse ka arritur t’i kalojë, janë miratimi i legjislacionit që ka përfunduar mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve e pavarësisë së Kosovës, ratifikimi i marrëveshjes së 19 prillit, Ligji për amnisti dhe Gjykata Speciale.

Sipas kritereve vlerësuese të KDI-së, më aktivi gjatë kësaj legjislature ishte Visar Ymeri, ndërsa më pasivi ishte Sreten Ivanoviq.