Lekaj: Prokuroria nuk ka nisur hetime ndaj meje

Pal Lekaj pranon se është intervistuar nga policia në cilësinë e dëshmitarit, për shkak të një denoncimi për projektin e restaurimit të Çarshisë në Gjakovë. Ai thotë se nuk ka informacione të tjera se ndaj tij Prokuroria në Gjakovë ka nisur hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajme

15/05/2014 00:59

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj mohon se Prokuroria në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj tij, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në emisionin Interaktiv të KTV-së, Lekaj pranoi se është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit nga policia, për një denoncim që kishte bërë AKR-ja rreth një vit e gjysmë më parë, për shkak të projektit të restaurimit të Çarshisë së Gjakovës.

“Mund të ju them lirshëm që për dy mandate Prokuroria nuk pasur asnjëherë punë me mua dhe para qytetarëve them se nëse del një qytetar dhe thotë se kryetari Lekaj ka keqpërdor, Prokuroria e ka hapësirën e vet, dhe është e mirëseardhur. Deri më tani nuk jam akuzuar dhe nuk kam pasur punë me prokurori dhe me gjykata”.

“Tani po ju tregoj që është një denoncim nga AKR-ja para një viti e gjysmë për restaurimin e Çarshisë, për këtë kam informacione”.

“Është një denoncim, Prokuroria ka qenë dy herë, zyra e krimit ekonomik dhe kanë kryer procedura dhe unë mund të them lirshëm se në atë projekt janë kryer të gjitha procedurat e prokurimit publik, është marrë leje është shpallur tenderi dhe me aprovimin e ministrit është vazhduar me projektin”.

“Sa kam informacione gjithçka është në rregull, por nuk kam fare brengosje”.

“Po jam intervistuar, në cilësinë e dëshmitarit. Prej policisë ekonomike, rasti është mbyllur”, ka thënë Pal Lekaj.