“Lëshon bajrakun” Kurti: Dikur krekosej se s’ka presion nga ndërkombëtarët, tani u kërkon atyre ta ndalojnë atë

Hiç më larg se para tre vitesh, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti krekosej se mbi të nuk kishte pasur asnjëherë presion nga ndërkombëtarët. Në një deklarim para mediave, Kurti madje shprehej kurreshtar ta dijë se cila është ndjenja e të qenurit pikë përqendrimi e presionit nga aleatët e Kosovës, shkruan lajmi.net. “Nuk ka trysni mbi…

Lajme

07/02/2023 12:50

Hiç më larg se para tre vitesh, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti krekosej se mbi të nuk kishte pasur asnjëherë presion nga ndërkombëtarët.

Në një deklarim para mediave, Kurti madje shprehej kurreshtar ta dijë se cila është ndjenja e të qenurit pikë përqendrimi e presionit nga aleatët e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Nuk ka trysni mbi mua, nuk ka presion mbi mua, unë edhe më tutje jam kureshtar si duket trysnia ndërkombëtare”, thoshte Kurti me shumë vetëbesim para mediave.

Tre vite më pas, për kryeministrin Kurti siç duket ndjenja e presionit nga ndërkombëtarët është e papërballueshme.

Ai madje në mediat e huaja, u kërkoi ndërkombëtarëve që të ndalojnë së bëri një gjë të tillë. Më konkretisht, i pari i Qeverisë po kërkon që për Asociacionin mos të ketë trysni nga të huajt.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion vendit të tij të vogël ballkanik që të pranojë një asociacion kontestues të pesë komunave me shumicë serbe që po rrit tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”, citon Associated Press fjalët e Kurtit në intervistën e realizuar dje.

SHBA-të e BE-ja, në mënyrë të orkestruar tanimë kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Ngecja kryesore në përparimin në proces, tanimë është Asociacioni i Komumave me Shumicë Serbe. Për implementimin e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur gjashtë pika apo kushte, të cilat sipas tij fillimisht duhet të plotësohen e më pas të procedohet tutje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes emisarit të saj për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë ritheksuar qëndrimin e tyre disa herë, se Asociacioni është obligim që Kosova e ka marrë përsipër, dhe i njëjti duhet të krijohet, u pajtua apo jo kryeministri Kurti.

“Sido që të shkoni përpara nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të keni një Asociacion [të komunave me shumicë serbe]. Prandaj them gjithmonë se do të zbatohet në një moment. Pranon apo jo obligimin ligjor qeveria aktuale në Kosovë nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është arsyeja pse unë vazhdoj të them se do të ndodhë. Do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit. Nuk ka asgjë për ta bërë këtë”, tha Escobar. /Lajmi.net/