Macron: Kemi projekte konkrete për të diskutuar, duhet solidaritet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë se është me rëndësi që të ketë solidaritet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë dhe procesin e integrimit. Para fillimit të samitit që po mbahet në Tiranë, presidenti francez ka deklaruar se në kuadër të Presidencës Çeke kanë projekte konkrete për të diskutuar. “Kam thënë gjithmonë të…

Lajme

06/12/2022 12:33

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë se është me rëndësi që të ketë solidaritet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë dhe procesin e integrimit.

Para fillimit të samitit që po mbahet në Tiranë, presidenti francez ka deklaruar se në kuadër të Presidencës Çeke kanë projekte konkrete për të diskutuar.

“Kam thënë gjithmonë të njëjtën gjë që diskutimet gjithashtu edhe lufta në Ukrainë është çështje sigurie për të gjithë rajonin. Kështu që ne kemi qysh prej shkurtit e marsit jemi duke punuar. Por jam shumë i lumtur që sot jam në Shqipëri. Dua të falënderoj kryeministrin Edi Rama për këtë samit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në një moment mjaft të rëndësishëm për ne. Në kuadër të Presidencës Çeke kemi në fakt projekte konkrete për të diskutuar, gjithashtu është e rëndësishme që të kemi solidaritet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë e gjithashtu edhe për procesin e integrimit të kësaj pjese në Bashkim Evropian. Është e rëndësishme që të punohet drejt solidaritetit të mëtejshme të thellimit të agjendës politike. Do të kemi mundësi këtu edhe së bashku me kancelarin (Olaf) Scholz të përgatisim konkluzionet për energjinë, që janë diskutuar edhe javën e kaluar”, ka thënë Macron para gazetarëve.

Macron është shprehur optimist për rezultatet në samitin e sotëm që po mbahet në kryeqytetin shqiptar.

“Jemi shumë krenarë dhe të lumtur që gjendemi këtu. Miku im, kryeministri Rama, më ka ftuar disa herë. Jam këtu, por do të kthehem për një takim dypalësh. Me një mot kaq me diell do të jeni tejet krenarë që prisni Bashkimin Evropian”, ka shtuar Macron.

Kjo është hera e parë qe Tirana mirëpret krerët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor.