Marrëveshja e Brukselit është historike
Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Rasmussen, thotë se Marrëveshja e Brukselit, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, është historike. Pohon se KFOR do të vazhdojë të ndihmojë procesin politik në Kosovë dhe premton mbështetje për trupat e FSK'së.

Lajme
Marrëveshja historike Prishtinë-Beograd ofron një zgjidhje politike për t’i dhënë fund dallimeve ekzistuese.
Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen.
Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se KFOR do të vazhdojë të ndihmuar procesin politik në Kosovë.
Në deklaratën vjetore lidhur me angazhimin e NATO’s nëpër botë, të mbajtur në Bruksel, Rasmusen ka thënë se “Marrëveshja Prishtinë-Beograd, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, rregullon disa çështje në normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e situatës në Veri të Kosovës”.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Euro-Atlantike ka vlerësuar gjithashtu se në vitin 2013 kanë ndodhur përparime në fushën e sigurisë në Kosovë dhe ka shtuar se KFOR do të vazhdojë edhe më tej të ndihmojë procesin e marrëveshjeve politike në Kosovë.
Kreu i NATO’s ka deklaruar se KFOR ka qenë në vend të ngjarjes në nëntor të vitit të kaluar, kur kishte pasur sulm në vendvotime në Veri të Mitrovicës, duke ofruar përkrahje në organizimin e zgjedhjeve.
“KFOR ka garantuar transportimin e lirë të kutive të votimit në qendrën e numërimit”.
Rasmussen ka thënë se Këshilli i NATO’s në qershor të vitit të kaluar deklaroi se “Forcat e Sigurisë së Kosovë kanë arritur kapacitetin e plotë operacional”.
Ai ka potencuar se “Aleanca mbështet FSK’në në fazën e re të zhvillimit të saj” dhe se ajo do të vazhdojë të kontribuojë për paqen në Kosovë nën mandatin e OKB’së.