Marrëveshja me Serbinë për regjistrat kadastral nuk po zbatohet
Zyra e BE-së në Prishtinë thotë se draft-ligji për Agjencinë e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës (KPCVA), që është pasuese e AKP-së, e cila jep bazën ligjore për themelimin e agjencisë teknike, nuk është miratuar ende. Sipas tyre, kjo është arsyeja që nuk mund të fillojë verifikimi i regjistrave kadastral.

Lajme
Zyra e përfaqësuesit special të BE-së bën të ditur se ka mbetur i bllokuar procesi i verifikimit të kopjeve të regjistrave kadastral që Serbia i ka dorëzuar Kosovës në fillim të vitit 2014.
Kjo për shkak se as tri vjet pas marrëveshjes së arritur për kthimin e këtyre regjistrave, Kosova nuk ka mundur të nxjerrë Ligjin që i jep të drejtën Bashkimit Europian dhe Agjencisë Kosovare të Pronës për verifikim, transmeton Radio Kosova.
Nga gushti i vitit të kaluar Agjencia e Gjeodezisë e Serbisë ka bërë digjitalizimin e regjistrave të grabitur të Kosovës. Disa nga kopjet e para ia ka dorëzuar në janar të këtij viti Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Por, sipas zyrtarëve të kësaj të fundit, e cila sipas marrëveshjes në Bruksel duhet të bashkëdrejtojë procesin e verifikimit të të dhënave kadastrale, të vjetra dhe të reja, në mungesë ligji përmbajtja e këtyre kopjeve ende nuk mund të verifikohet.
“Marrëveshja për kadastrat parasheh që kjo të bëhet nga një agjenci teknike. Ndërkohë draft-ligji për Agjencinë e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës (KPCVA), që është pasuese e Agjencisë Kosovare të Pronës, e cila jep bazën ligjore për themelimin e agjencisë teknike, nuk është miratuar ende. Si pasojë e kësaj, verifikimi i regjistrave nuk mund të fillohet”, thuhet në përgjigjen e zyrës së EUSR-së për Radio Kosovën.
Ky draft-ligj për kompetencat e Agjencisë së Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës u miratua në leximin e parë me 27 mars, por leximi i dytë i ka mbetur legjislaturës së ardhshme.
Në shtator të vitit 2011, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi ishte arritur marrëveshja për kthimin e 3,000 kopjeve të regjistrave kadastral që ishin marrë nga shteti serb gjatë luftës. Kjo marrëveshje parashihte që verifikimin e regjistrave të grabitur ta bënte një ekip i Zyrës së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë dhe Agjencisë së Pronës. Për t’i dhënë kompetencë kësaj të fundit është dashur që qeveria të bënte një ligj.
Por, tre vjet pas zyra e EUSR e as Agjencia e Pronës nuk po mund të shqyrtojnë mospërputhjet e mundshme në të dhënat për pronat.
Në agjencinë, që me draft-ligjin e ri emërtohet Agjencia e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, po ashtu nuk kanë pasur ndonjë përgjigje se sa kopje kadastrale janë kthyer apo parashihet t’i kthehen Kosovës.
“AKP ende nuk ka ndonjë mandat shtesë për zgjerim ose ndryshim të fushëveprimit të vet. Si rezultat nuk mund të japim përgjigje tjetër”, i ka thënë Radio Kosovës, Arian Krasniqi nga Agjencia Kosovare e Pronës.