Marshi kundër Rektorit
Mijëra studentë e qytetarë po protestojnë para Rektoratit për largimin e Rektorit Ibrahim Gashi. Studentëve protestues sot u janë bashkuar edhe profesorë të UP'së dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Lajme
Avni Zogiani: Rektori është njëri nga dhjetëra apo ndoshta qindra Filan Fistekët në UP
Avni Zogiani nga Organizata Çohu tha se Universiteti i Prishtinës, në kohët më të vështira ka qenë shpresa dhe shpëtimi i shoqërisë kosovare – e sot është bërë fytyra e turpit të shoqërisë sonë.
“Njëri pas tjetrit, që prej mbarimit të luftës, rektorët u dërguan në UP me libreza partie. Universiteti nuk ishte më partiak se këto 13 vite edhe atëherë kur ai, sikur e tërë shoqëria, udhëhiqej nga një parti e vetme”.
“Sot, mes Universitetit e Pushtetit, qarkullojnë militantët e partive në një një rreth të mbyllur”.
“Për vite me radhë kandidati për pushtet është dërguar në UP për të diplomuar në hajni, e për t’u kthyer sërish në pushtet si hajn i diplomuar”.
“Ata kanë sjellë UP-në aty ku nuk ishte asnjëherë që prej themelimit të tij: në fundin e pusit ma t’errët”.
“Sot, mbas një kohe të gjatë të degradimit, edhe kur u shfaqen tërësisht të zhveshur para syve tanë, ata vazhdojnë të kapen fort për komitetet e pushtetit”.
“Ky rektor që sot po kapet fort mbas këmbëve të pushtetit do duhej shkarkuar qysh gjatë fushatës së fundit, atëherë kur në krye të fushatës zgjedhore shfaqej krah për krah me kryetarin e partisë në pushtet, pra kryeministrin”.
“Këta tashmë as që po provojnë të mohojnë pisllëqet. Rektori me profesion historinë, boton me para studime për mineralet. Dhe këtë e bën në një revistë inekzistente”.
“Duke ndjekur shembullin e kolegëve të tij, mësimdhënësve në qeveri, ai njëherë gënjen universitetin, pastaj provon të gënjej publikun, dhe në fund e pranon se ka fallcifikuar, por thotë dorëheqje nuk do t’jap!”.
“Po Rektori është njëri, vetëm njëri nga dhjetëra apo ndoshta qindra Filan Fistekët në UP që tentojnë ta falsifikojnë shkencën”.
“Dorëheqja e rektorit, edhe kur të ndodhë ajo, nuk e mbaron punën. Universiteti i Prishtinës duhet të transformohet rrënjësisht”.
“Nga një institucion masiv i prodhimit të diplomave, UP duhet të kthehet në një qendër shumë më të vogël të shkencës – vetëm për shkencë|.
“I pari hap që kërkohet në këtë rrugë është heqja fizike e juridike e pushtetit të qeverisë mbi të. Duhet ndalur sa më parë praktikën e ministrave e këshilltarëve profesorë”.
_ _ _
Njëri nga organizatorët ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të largohen nga oborri i Rektoratit.
Protestuesit i kanë dhuruar po ashtu lule policisë, për të treguar se problemi i tyre është me Rektorin Ibrahim Gashi dhe jo me policinë e shtetit.
_ _ _
Ka eskaluar protesta para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Pas fjalimeve të organizatorëve dhe mbështetësve të tyre protestuesit kanë hyrë brenda oborrit të Rektoratit, ku janë përleshur me Policinë.
Aktualisht Njësia Speciale ka bllokuar hyrjen e Rektoratit, duke mos lejuar hyrjen e protestuesve brenda.
Protestuesit janë ulur në oborrin e Rektoratit në këto çaste ku protestuesit po thërrasin për dorëheqjen e Rektorit Gashi.
– – – – –
Mijëra protestues po kërkojnë në këto çaste largimin e Rektorit Ibrahim Gashi.
Studentëve që po protestojnë nga java e kaluar për largimin e Rektorit, sot i janë bashkuar edhe disa organizata të shoqërisë civile, profesorë të Universitetit dhe qytetarë të shumtë.
Përballë protestuesve, në oborrin e Rektoratit ndodhen forca të shtuara të Policisë së Kosovës, të cilat kanë pamundësuar që nga mëngjesi hyrjen e protestuesve brenda oborrit të këtij institucioni.
Nga protesta është bllokuar për qarkullim edhe rruga para Rektoratit të UP’së.
_ _ _
Dhjetëra studentë u nisën nga Qendra e Studentëve në Prishtinë për të marshuar drejt Rektoratit të UP’së, ku po qëndron pjesa tjetër e protestuesve.
Nga Sheshi Skënderbeu u nis marshi tjetër protestues drejt Rektoratit të Universitetit, në mbështetje të studentëve që po kërkojnë largimin e Rektorit Ibrahim Gashi pas skandalit të fundit në këtë institucion.
Protestuesit po mbajnë në duar parulla si: ‘zhbiroje UP’në’, ‘pro akademisë-kundër hajnisë’, ‘UP pa hajna’ e të tjera.
Protestuesit janë bashkuar para oborrit të Rektorit ku po kërkojnë largimin e Rektorit Gashi, i cili ndodhet brenda në zyrën e tij, e cila po mbrohet nga një numër i madh i policëve.