Matje forcash mes Kosovës dhe Serbisë
Leon Malazogu beson se Institucionet e Kosovës, kësaj radhe, mund t’i thonë “jo” organizimit të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë. Por, ai e lë të hapur edhe mundësinë tjetër, nëse Serbia bën ndonjë koncesion në favor të Kosovës.

Lajme
Leon Malazogu nga Instituti D4D beson se Institucionet e Kosovës do të lejojnë organizimin e zgjedhjeve serbe brenda territorit të saj, vetëm nëse shteti fqinjë do të bëjë koncesione në ndonjë lëmi tjetër.
Sipas njohësit të proceseve zgjedhore, Serbia tanimë e ka kuptuar se organizimi i zgjedhjeve parlamentare si ato të vitit 2012, të cilat ishin lehtësuar nga misioni OSBE, nuk mund të ndodhin pa e marrë lejen e Institucioneve të Kosovës.
Në një bisedë për lajmi.net, Malazogu pret që institucionet vendore nuk do të lejojnë që zgjedhjet serbe të mbahen në Kosovë.
“Ata e kanë precedentin e vitit 2012, kur OSBE i ka mbajtur teknikisht zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Kuptohet se tani Qeveria e Serbisë kërkon diçka të njëjtë.”
“Mbetet të shihet realisht se si do të maten forcat, por mendoj që Qeveria e Kosovës këtë herë do të duhet që të ketë një qëndrim më të ashpër dhe të fillojë gradualisht të imponojë sovranitetin më ashpër dhe mos të lejojë që zgjedhjet e Serbisë të mbahen në Kosovë”.
“Kosova mund të lehtësojë ndoshta qoftë transportin e votuesve, qoftë votimin me postë të tyre, ndoshta edhe në mënyrë të organizuar, por jo të lejohet mbajtja e zgjedhjeve nëpër vendvotime të rregullta si më parë”.
“Për dallim prej më parë, tani shihet qartë se edhe Serbia e ka kuptuar që këtë nuk mund ta bëjë pa bekimin e Institucioneve të Kosovës, kështu që do të kërkojë favor në njëfarë mënyre nga institucionet tona”.
“Nuk e përjashtoj faktin që nëse mbahen, së paku të mbahen në qoftë se Kosova fiton ndonjë koncesion nga Serbia, e cila do të bënte ndonjë lëshim për Kosovën në ndonjë lëmi tjetër”.
“Besoj se mund të përsëritet skenari i 2012, por në një dallim tani kur Kosova qartazi mund të vendosë se a do t`i lejojë ato apo jo. Ndërsa, më parë, në njëfarë mënyrë na imponohej mbajtja e tyre. Tani në këtë rast Kosova e ka mundësinë që t`i thotë edhe jo, përveç nëse në Bruksel merren vesh që këtë Kosova ta bëjë si lëshim dhe në shkëmbim të fitojë diçka tjetër”, thotë Leon Malazogu për lajmi.net.
Në një prononcim për mediat serbe, Kryeministri serb Ivica Dacic, ka thënë se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, duhet të organizohen në të njëjtën formë si ato të vitit 2012.
Mirëpo, deklaratat e tilla bien në kundërshtim me ato të Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, i cili ditë më parë për lajmi.net ka deklaruar se modalitetet e votimit nuk dihen ende, mirëpo, sipas tij, Serbisë nuk do t`i lejohet që të organizojë zgjedhje në Kosovë.
Me lehtësimin e misionit OSBE, në vitin 2012, Qeveria serbe kishte organizuar zgjedhjet parlamentare brenda territorit të Kosovës.