Më në fund, miratohen marrëveshjet me Shqipërinë e Gjermaninë
Deputetët miratuan marrëveshjen ushtarake me Shqipërinë, dhe atë energjetike me Gjermaninë. Jakup Krasniqit iu desh ta ndërprente debatin për reformën zgjedhore, sapo vërejti se ka mjaft deputetë në sallë për t’i votuar marrëveshjet.

Lajme
(E plotësuar, 11:10)
Kuvendi i Kosovës miratoi dy marrëveshjet e Kosovës për të cilat dy herë dështoi votimi për shkak të mungesës numrit të nevojshëm të deputetëve në sallë.
Për ta bërë këtë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u desh ta ndërprente debatin për reformën zgjedhore, sapo vërejti se ka mjaft deputetë në sallë për t’i votuar marrëveshjet për të cilat u provua dje dhe sot në fillim të seancës.
Marrëveshja për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive u mbështet nga 87 deputetë ndërsa 2 abstenuan.
Ndërsa Marrëveshja për hua dhe financim ndërmjet KFW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSST për përmirësimin e rrjetit të transmisionit u mbështet nga 89 deputetë ndërsa një abstenoi.
—–
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për herë të dytë, kanë dështuar që ta votojnë marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive u shty përsëri për një herë tjetër.
Marrëveshjet ndërshtetërore kërkojnë një votim me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit
Si dje ashtu edhe sot, Marrëveshja nuk u hodh fare në votim për shkak se mungonte numri i mjaftueshëm i deputetëve për ta votuar këtë marrëveshje.
Sot në sallë ishin të pranishëm vetëm 67 deputetë, ndërsa për ta miratuar këtë votim duhen 80 vota në favor të traktatit.
Për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm të deputetëve u shty edhe pika tjetër e rendit të ditës që ka të bëjë me votimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua dhe financim ndërmjet KFW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSST për përmirësimin e rrjetit të transmisionit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është treguar i nervozuar me deputetët që po mungojnë në seanca, ndërsa i ka bërë thirrje administratës që t’i ketë në konsideratë ata kur t’i shpërndajë pagesat për mëditje.