Memorandum që mbikëqyrë zgjedhjet e 8 qershorit

Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë nënshkruar memorandum për mbikëqyrjen e zgjedhjeve parlamentare. Sipas tyre, bashkëpunimi do sjellë zgjedhje fer, të lira e demokratike.

Lajme

15/05/2014 16:27

Zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit po i shtohet mbikëqyrja që të mos ketë shkelje e parregullsi. Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë nënshkruar memorandum për mbikëqyrjen e tyre.

Kryesuesit e këtyre institucioneve thonë se besojnë në memorandumin e nënshkruar, që sipas tyre, do të sjellë zgjedhje të lira, fer e demokratike sikurse në zgjedhjet lokale të vitit që shkoi.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, gjatë ceremonisë së nënshkrimit, tha se ky do të jetë një koordinim që do t’i mbikëqyrë proceset para zgjedhjeve, gjatë tyre dhe pas zgjedhjeve.

“Ky koordinim do të jetë ndoshta një koordinim në kuptimin e plotë të fjalës që do të ketë mbikëqyrje prej procesit parazgjedhor, zgjedhor dhe  pas procesit zgjedhor për aktet që mund të ndodhin”.

“Ne e kemi një përvojë në kuptimin e përgjithshëm se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Shpresoj që tash jemi edhe më të gatshëm, dhe në këtë veprim, ju premtojmë edhe qytetarëve që do t’i ndërmarrin të gjitha masat ligjore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve”.

Edhe Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha gjatë takimit se i gëzohet faktit të krijimit të praktikave bashkëpunuese midis institucioneve relevante për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Konsideroj që ky memorandum përmbushë të gjitha ato që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare që zgjedhjet të jenë fer, demokratike dhe të lira”.

“E kemi obligim që pas mbajtjes së zgjedhjeve t’i informojmë organet e ndjekjes për të gjithë ata shkelësit eventual para, gjatë, dhe pas ditës së zgjedhjeve çka nuk ka munguar as në të kaluarën”.

Po ashtu, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se fokusi i tyre do të jetë veriu i vendit, duke potencuar se në atje do të bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë.

“Në pjesën veriore, fokus yni do të jetë edhe avancimi i bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, siç janë EULEX-i dhe KFOR-i”.

“Nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt, në çfarëdo rrethane që pretendohet të prishet imazhi i këtij procesi mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”.

Në anën tjetër, kryetari i PZAP-it, Shukri Sylejmani ka thënë se sikur në zgjedhjet e vitit të kaluar, ky bashkëpunim po bëhet për të ngritur nivelin e bashkëpunimit midis institucioneve që të ndalin shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve parlamentare.

“Edhe për këto zgjedhje ne kemi shfrytëzuar rastin të bëjmë një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi që të ngrisim në një shkallë shumë më të lartë nivelin e bashkëpunimit dhe koordinimit të këtyre institucioneve”.

“Kjo në mënyrë që, përfundimisht të ndalim dhe të evitojmë shkeljet dhe parregullsitë që eventualisht mund të na ndodhin gjatë zgjedhjeve”.