Minoritetet mund t’i braktisin institucionet
Nenad Rashiq paralajmëron se minoritetet mund ta braktisin Kuvendin e Kosovës dhe institucionet qeveritare në qoftë se nuk u përmbushet kërkesa për vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për një mandat. Thotë se është koha e fundit të veprohet në këtë drejtim.

Lajme
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka paralajmëruar se minoritetet mund të largohen nga të gjitha institucionet shtetërore nëse nuk u vazhdohen ulëset e rezervuara në Kuvend edhe për një mandate.
Në një intervistë për “Epoka e re”, Rashiq ka thënë se ky veprim është menduar si opsion i fundit demokratik për ta kërkuar realizimin e propozimit të tyre, i cili po përkrahet nga vendet e Quintit.
“Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike për ta arritur synimin tonë. Si opsion është edhe largimi nga institucionet dhe mospjesëmarrja në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe organet e tjera qeveritare”.
“Kjo është menduar si opsion i fundit. Pra, nëse na refuzohet realizimi i kësaj ideje, mendoj se edhe kjo mund të jetë një prej elementeve apo mjeteve demokratike ku mund të reagojmë në këtë drejtim”, ka thënë Rashiq.
Ndonëse ka pranuar se një veprim i tillë nuk do të ishte zgjidhja më e mirë, Rashiq ka deklaruar se është moment i fundit për të vepruar në këtë drejtim.
“Jo, kjo nuk është zgjidhja. Ne jemi të vetëdijshëm se me veprimet e tilla nuk zgjidhet problem, sepse me mospjesëmarrjen tonë në institucione nuk do ta kemi mundësinë ta bëjmë reprezentimin e problemeve tona, por konsiderojmë se është koha e fundit të veprohet në këtë drejtim, në të kundërtën komunitetet do të gjendeshin në një pozitë shumë të rëndë”.
Rashiq ka bërë me dije se vazhdimi i ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës edhe për një mandate është në të mirë të demokracisë kosovare dhe gjithë shoqërisë. Në të kundërtën, sipas tij, Kosova do të dëmtohej shumë në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
Ministri Rashiq është shprehur i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndikonte në përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvend.
“Besoj se vazhdimi i këtyre mandateve nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvend, mirëpo prapëseprapë kjo nuk ka qenë e konsideruar nga partitë politike, të cilat kanë paragjykime”,
“Mendoj se nuk kanë nevojë për këto paragjykime. Jam i sigurt se një veprim i tillë do të ketë një reflektim negative sa i përket Kosovës dhe institucioneve të saj në raport me BE’në”, ka thënë ai në “Epoka e re”, duke vlerësuar se përgjegjësinë e mosvazhdimit të këtyre vendeve do ta bartin partitë politike që po e refuzojnë një gjë të tillë.