Miratohet statuti i ri i FFK-së

Federata e Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot kuvendin e jashtëzakonshëm që kishte për rend të ditës miratimin e statutit të ri të kësaj federate. Në këtë kuvend morën pjesë 54 delegatë dhe pas diskutimeve ku pati mospajtime nga disa prej klubeve, statuti i ri u miratua pasi u votua nga 48 delegatë, ndërsa një…

Sport

27/01/2023 12:20

Federata e Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot kuvendin e jashtëzakonshëm që kishte për rend të ditës miratimin e statutit të ri të kësaj federate.

Në këtë kuvend morën pjesë 54 delegatë dhe pas diskutimeve ku pati mospajtime nga disa prej klubeve, statuti i ri u miratua pasi u votua nga 48 delegatë, ndërsa një delegat abstenoi.

Ndryshimet në statutin e FFK-së u kërkuan nga Komisioni për Vlerësim dhe Licencim brenda Ministrisë së Kulturës dhe Rinisë dhe Sportit në mënyrë që të plotësohet ky kusht, raporton lajmi.net.

Kundërshtimet më të mëdha për statutin e ri erdhën nga drejtori sportiv i Dritës Valon Zymberi dhe presidenti i klubit Trepça ’89 Abedin Zeka të cilët deklaruan para delegatëve se në statutin e ri ka shumë shkelje që mund të jenë pengesë për rilicencimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kuvendi i mbajt pa praninë e mediave, ndërsa u transmetua vetëm në kanalet zyrtare të FFK-së në rrjetet sociale./Lajmi.net/