Mos mendoni që Serbia ndihmoi në arrestimin e Ivanovic
Aleksandar Vulin thotë se arrestimi i Oliver Ivanovic është bërë pa ndihmën e Qeverisë së Serbisë. Ndërkohë, deklaron se qëllim i Serbisë është që të Kandidati i Listës Serbe të zgjidhet Kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Lajme
Ministri serb pa Portofol i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka deklaruar të shtunën se Qeveria e Serbisë po punon për të mirën e serbëve në Mitrovicë të Veriut.
Ai thotë se qëllim i Beogradit zyrtar është që fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Mitrovicës së Veriut të jetë Kandidati i Listës Serbe, raportojnë mediat serbe.
“Ne nuk duhet të lejojmë që për shkak të revoltës tonë, të mos e zgjedhim Kryetarin e Mitrovicës dhe t’i japim mundësinë dikujt tjetër që ta bëjë këtë. Pastaj, të fajësohemi ne që një shqiptar udhëheq Mitrovicën e Veriut, edhe pse 99 për qind e popullatës në këtë Komunë janë serbë”.
Ndërkohë, Vulin ka thënë se ende nuk dihet se cili do të jetë fati i Kryetarit të Iniciativës Qytetare “SDP”, Oliver Ivanovic, ndonëse afati për përgjigje lidhur me ankesën për t’u liruar nga paraburgimi ka kaluar të premten.
Vulin theksoi se në arrestimin e Oliver Ivanovicit nuk ka kontribuar Qeveria e Serbisë apo cilido serb në Kosovë.
“Nuk kemi çfarë të bëjmë, situata është çfarë është, jeta vazhdon. Por, ne nuk do të zvogëlojmë mbështetjen tonë. Nuk është fer që ai të mbahet në burg. Mirëpo, fatkeqësisht, ne nuk mund të ndikojmë në këtë”.