Mushkolaj: Më 2018 Rama ekzaltohej me fitoren e Zvicrës, tash jep leksione se qysh qenka “nacionalizëm qesharak”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot në lidhje me komentet që u dhanë në lidhje me fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë, e ku në thelb këto komente e vlerësime kishin të bënin me Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin. Rama madje tha se këta dy janë futbollistë shqiptarë të cilët i ndjekim me shumë…

Lajme

04/12/2022 16:31

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot në lidhje me komentet që u dhanë në lidhje me fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë, e ku në thelb këto komente e vlerësime kishin të bënin me Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin.

Rama madje tha se këta dy janë futbollistë shqiptarë të cilët i ndjekim me shumë simpati, por se, sipas tij, emrat e tyre po përdoren “si mish për top për disa lojëra ballkanike”.

Këtë deklaratë Rama e bëri pas reagimit që kishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me fitoren e Zvicrës.

“Nuk jam kryeministër i Zvicrës, jam kryeministër i Shqipërisë dhe nëse do të ndaja nga skuadra kombëtare e Zvicrës dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashur dhe pa diskutim simpati të madhe që të gjithë për një ndeshje te veçantë, çfarë do të bëja konkretisht? Do t’i përdorja ato dy figura për politikë dhe në një mënyrë aspak dinjitoze për hirë të së vërtetës. Sepse është ekipi kombëtar i një shteti tjetër dhe do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi, më falni për shprehjen, qesharak, por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak aq edhe i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme, nuk e shoh fare të nevojshme dhe më duket që kush e bënë këtë, nuk bënë gjënë e duhur…Më është dukur vërtetë për të ardhur keq si mund të shkëputen nga skuadra e tyre dy lojtarë që janë qytetarë të denjë dhe të nderuar të atij shteti dhe për atë arsye luajnë për atë skuadër, për shkak të kombësisë së tyre të përdoren si ‘mish për top’ për një lojë luftërash ballkanike.“, theksoi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë dhe qytetarë.

Por ishte vetë kryeministri Rama që në vitin 2018 kishte publikuar fotografinë e njohur të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirin, ku në ndeshjen e Zvicrës me Serbinë kishin bërë shqiponjën.

Analisti, Imer Mushkolaj ka kthyer në kujtesë këtë fotografi, ndërsa tha se më 2018, Edi Rama, ekzaltohej me fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë, transmeton lajmi.net.

Kurse sipas tij, Rama sot plot hipokrizi po jep leksione se si qenka nacionalizëm qesharak e i rrezikshëm që kosovarët t’i gëzohen kësaj fitore.

“Më 2018 Edi Rama ekzaltohej me fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë. Tash, plot hipokrizi, ai po jep leksione se qysh qenka “nacionalizëm qesharak e i rrezikshëm” që kosovarët t’i gëzohen fitores së Zvicrës kundër Serbisë. Është i njëjti Edi Ramë, veçse tash po kujdeset më shumë që të mos e lëndojë Vuçiqin”,shkroi ai./Lajmi.net/