Mustafa: Besoj në skenarin e fitores

Isa Mustafa është i bindur që LDK do të udhëheqë me vendin. Ai tha se me të gjithë partitë opozitare është i gatshëm të bëjë koalicion paszgjedhor dhe që beson se PDK duhet të dalë në opozitë. I gatshëm për të marrë postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Lajme

14/05/2014 22:03

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se është i bindur që në zgjedhjet e 8 qershorit LDK do të dalë fituese dhe se ai do të bëhet kryeministër.

“Jo vetëm që jam në gjendje të marr përgjegjësi, por garantoj që këtë përgjegjësi do ta kryej në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse kam përvojë, kam besimin e qytetarëve”.

“Unë jam i gatshëm që kësaj radhe të ballafaqohem me skenarin e fitores. Besoj shumë në fitore. E bazoj në nevojën që të bëhen ndryshime, sepse askush nuk duhet ti ftojë qytetarët në mision të ri kur ka pasur mundësi që ta bëjë për 7 vite. Unë mendoj se edhe qytetarët në përgjithësi janë bindur se duhen ndryshime në forcimin e shtetit”, tha Mustafa në një intervistë për RTK.

“Unë mendoj se momentumi politik është i mirë, i përshtatshëm, për arsye se nuk ka ashpërsi të fushatës, nuk ka sjellje denigruese ndërmjet subjekteve politike. Ne do të angazhohemi që të kemi një ambient të tillë që të respektojmë”.

“Edhe nëse ndodh e kundërta, unë do të respektoj votën dhe vullnetin e çdo qytetari të Kosovës”.

Në intervistën për emisionin Debat të servisit publik, Mustafa tha se arsyet pse LDK duhet të fitojë janë se ata kanë një program të mirë qeverisës por edhe dështimet e qeverisë në ikje.

“Ne jemi konsoliduar në terren, kemi një shtrirje të mirë, kemi një program qeverisës që është ndër programet më të mira që ka pasur ky vend, mund të them se janë edhe dështimet që i ka pasur Qeveria në të gjitha fushat dhe nuk shoh tash që të vazhdohet më tutje, por duhet të bëhen ndryshime, dhe kjo na motivon për fitore”.

“Ne duhet të sigurojmë perspektivën e njerëzve tanë, mirëqenien e popullatës, e cila deri më tani nuk është siguruar. Motivi tjetër është se ne do të përmbushim të gjitha obligimet me BE në mënyrë që të përmbushim liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në BE dhe të sigurohemi që Serbia të mos anëtarësohet para nesh”.

Ai theksoi se do të punojë në forcimin e shtetit ligjor, ku nuk do të ketë interferim të politikës në gjyqësi.

Mustafa tha se sa i përket listës për kandidatë për deputetë ajo do të zyrtarizohet nesër, ndërkaq sa i përket partnerëve të koalicionit, LDK nuk ka politikë përjashtuese. Sipas tij PDK-ja do të jetë në opozitë.

“Partnerët mund të jenë shumica e subjekteve politike që kanë qenë deri më tani në opozitë, por varet prej tyre se a do të gjendet gjuha e përbashkët. Jam i bindur që PDK do të dalë në opozitë. Atë e konsiderojmë rivalin e vetëm”, tha Isa Mustafa.