Mustafa: LDK do të krijojë lehtësi bizneseve

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nëse partia e tij qeverisë, do të planifikojë që përmes investimeve në bujqësi, importin e produkteve bujqësore në vlerë prej 600 milionë euro, sa është aktualisht sipas tyre, ta zvogëlojnë për 80%, në favor të prodhuesve vendorë.

Lajme

14/05/2014 19:18

Mustafa beson se me përmirësimin e bilancit tregtar, do të rritet prodhimi vendor, do të shtohen vendet e punës dhe do ta luftojnë varfërinë.

Ai këto deklarime i bëri gjatë një vizite që i bëri të mërkurën qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë.

Sipas tij, LDK-ja është e vendosur të përkrahë me politikat e qeverisë që do të drejtojë zhvillimin e vendit.

“Ne do t’i qëndrojmë programit tonë, të punuar nga ekspertë të njohur dhe i cili i përgjigjet nevojave zhvillimore të vendit, sepse ne dëshirojmë të arrijmë zhvillimin e vendit tonë, të ulim papunësinë dhe varfërinë”, ka thënë kryetari Mustafa.

Për të forcuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), Mustafa ka thënë se do të zgjerohet baza tatimore dhe do të ulen tatimet, ndërsa TVSH nuk do të paguhet më në pikat kufitare, por në brendësi të territorit të Kosovës, pasi që të shiten mallrat.

Mustafa ka premtuar po ashtu mbështetje për bizneset që kanë plane për realizimin e të gjithë zingjirëve të prodhimit, duke përfshirë edhe paketimin dhe plasimin, në mënyrë që të ulet hendeku i bilancit tregtar me vendet e tjera, kur dihet se Kosova importon në vit 2.2 miliardë euro ndërsa eksporton vetëm 300 milionë euro.