Mustafa: Shfaqje e shtirur e Thaçit

Isa Mustafa ka thënë se 8 qershori është rruga e së ardhmes për qytetarët e Kosovës. Ai e ka quajtur \"mashtrim\" prezantimin e programit “Misioni i Ri” nga PDK, duke quajtur këtë prezantim edhe si një “shfaqje e shtirur”.

Lajme

14/05/2014 00:00

Në një postim në Facebook, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka quajtur “shfaqje të shtirur” prezantimin e programit ekonomik “Misioni i Ri”, të kreut të PDK-së, Hashim Thaçi. Ai tha se filozofia që u prezantua aty është filozofi e “mashtrimit dhe keqpërdorimit”.

“Sot pasdite pamë një shfaqje të shtirur, krejtësisht të denjë për filozofinë e mashtrimit e të keqpërdorimit që e karakterizon partinë që po numëron ditët e fundit të qeverisjes me Kosovën, kryekëput përmes këtyre formave të paligjshme dhe të papërgjegjshme”.

“Filozofisë së deritanishme të keqpërdorimit të taksave të qytetarëve, kryeministri në largim ia shtoi edhe tendencën për keqpërdorimin e kursimeve të qytetarëve”.

“E pa dinjitetshme sikurse shtirja e kastës politike që e pret ndëshkimi i qytetarëve më 8 qershor, ishte edhe sjellja e disa përfaqësuesve të institucioneve e shoqatave, të cilët u përpoqën të tumirin filozofinë mashtruese, duke na ofruar një shfaqje të qartë të kapjes së tyre nga interesat e ngushta personale, familjare e biznesore”.

sipas Mustafës 8 qershori është dita e së ardhmes, e cila do të ketë ne krye qeverisjen e LDK-së.

“Por, qytetarët e Kosovës do të flasin vet, më 8 qershor. Dhe do të vendosin t’ia kthejnë shpinën të kaluarës. Të nisen drejt të ardhmes, me filozofinë qeverisëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që qytetarin e trajton në mënyrë të dinjitetshme, qeverisjen e merr si përgjegjësi, i forcon dhe i bën të besueshme institucionet e shtetit. I konsideron të shenjta të drejtat qytetare dhe pasurinë e tyre e të shtetit të Kosovës”, ka shkruar në Facebook, Isa Mustafa.