Ndahet nga jeta Vaçe Zela
Artistja e Madhe Shqiptare ka vdekur në moshën 74 vjeçare. Me amanetin e saj, do të prehet në Shqipëri. Është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa ishte gjallë me titullin “Nderi i Kombit”.

Lajme
Këngëtarja e madhe shqiptare, Vaçe Zela, ka ndërruar jetë në orët e para të ditës së sotme, në Basel të Zvicrës.
Artistja e famshme kishte kohë që lëngonte nga një sëmundje, ndërsa mediat në Shqipëri raportojnë se lajmin për vdekjen e kanë konfirmuar familjarët e saj në Zvicër.
E lindur në Lushnjë në vitin 1939, Vaçe Zela më 7 prill të këtij viti do të mbushte 75 vjeç.
Ajo është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa ishte gjallë me titullin “Nderi i Kombit”.
Me amanetin e saj, ikona e këngës shqiptare do të prehet në atdhe.