Në paraburgim njëri prej të dyshuarve për vrasjen e Enver Zymberit

Njëri nga të dyshuarit kryesor për vrasjen e policit Enver Zymberi tashmë po mbahet në paraburgim, ndërsa ndaj të dyshuarve të tjerë është lëshuar fletarresti. Një pjesëtar serb i Policisë së Kosovës, i cili ka qenë pjesë e aksionit, ku mbeti i vdekur polici Zymberi, ka identifikuar personat të cilët kanë qenë të përfshirë në aksionin e 2011-tës.

Lajme

13/05/2014 20:53

Radovan Radiq, Millan Vllashkoviq janë të akuzuarit kryesorë, që dyshohen se në bashkëveprim me Radomir Bozhoviqin, Dushan Jovanoviqin dhe Radomir Kasanoviqin janë autorë të grupit kriminal që la të vrarë policin Enver Zymberi, gjatë përpjekjes së njësisë speciale ROSU për të vënë në kontroll shtetëror pikat kufitare 1 dhe  31 në veri të vendit.

Njëri nga të dyshuarit kryesor tashmë po mbahet në paraburgim, ndërsa ndaj të tjerëve është lëshuar fletarresti, raporton RTK.

Sipas Prokurorisë, polici Zymberi u vra nga gjuajtjet që erdhën nga mali në mes të fshatrave Varag dhe Zupq, pasi që kolona e automjeteve të ROSU-s ishte ndalur nga barrikada e krijuar nga një grup i serbëve.

Personat e dyshuar janë identifikuar nga një pjesëtar serb i Policisë së Kosovës, i cili ishte pjesë e aksionit dhe i cili ka parë nga afër ata që bllokuan rrugën.

Ky polic tashmë ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur, raporton RTK.