Nënshtrim ndaj Serbisë

Lëvizja Vetëvendosje vizitat e zyrtarëve serbë i ka quajtur goditje ndaj sovranitetit të Kosovës. Ajo kërkoi dorëheqjen e Qeverisë “për të shpëtuar vendi”.

01/11/2013 17:31

Vizita e zyrtarëve serbë në Kosovë ditën e fundit të fushatës zgjedhore ka ngjallur reagime të menjëhershme.

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar kritika të ashpra në adresë së Qeverisë së Kosovës që ka lejuar delegacionin serb në krye me Zëvendëskryeministrin Aleksandër Vucic të futet në territorin e Kosovës.

Delegacioni serb i përbërë Aleksandër Vucic, Aleksandër Vulin dhe Ministri i Drejtësisë Nikola Selakovic kanë qëndruar sot në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, vizitat e zyrtarëve serbë, i ka cilësuar si goditje të rëndë për sovranitetin e Kosovës.

“Ky veprim është goditje e drejtpërdrejtë në sovranitetin e vendit dhe subjektivitetin sado formal të tij.  Qeveria e Kosovës, në vend se të jetë ajo e cila e ushtron sovranitetin, kushtetutshmërinë dhe e ruan integritetin territorial të vendit,  po i shkel ato duke i akomoduar çdo herë e më tepër interesat e Serbisë në Kosovë”.

“Vizita e sotme e zyrtarëve serbë dhe shprehja e hapur e aspiratave hegjemoniste të tyre ndaj Kosovës, dëshmon edhe një herë që kjo Qeveri nuk është në gjendje të mbrojë interesat e vendit e të qytetarëve të saj, por i ka nxjerrë ato lire në pazar me Serbinë, për t’ia zgjatur vetes jetën në pushtet”.

“Sovraniteti formal i Kosovës nuk po ushtrohet nga Qeveria e Kosovës. Çdo minutë më tepër në pushtet e kësaj qeverie, nënkupton rrezik gjithnjë më të madh të kapitullimit dhe të humbjes edhe formale të shtetësisë”.

Sipas Vetëvendosjes, nënshtrimi i Kryeministrit Thaçi ndaj Ivica Dacic ka pasuar me nënshtrimin edhe të liderëve tjerë partiakë si Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj të cilët “po e sjellin edhe Kosovën para nënshtrimit të Serbisë”.