Nga nesër aplikim ‘online’ për certifikatë

Komuna e Prishtinës nga dita e nesërme fillon me ofrimin e mundësisë për qytetarët e regjistruar në këtë komunë, aplikimin ‘online’ për certifikata të lindjes dhe gjashtë lloje të tjera dokumentesh. Aplikimi për një dokument do të kushtojë 2 euro, ndërsa do t’i shkojë personit që ka aplikuar në shtëpi. 

Lajme

13/05/2014 15:36

Kështu ka paralajmëruar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili në një konferencë për media, së bashku me drejtorin e Administratës së Prishtinës, Muhedin Nushi kanë prezantuar këtë projekt që do të fillojë nga nesër.

Faqja zyrtare e Komunës së Prishtinës nuk ka ndryshuar në dizajnin e saj, ndërsa Ahmeti ka thënë se kjo s’është bërë për shkak të vonesave të mëpastajshme që mund t’ketë pasur.

Shërbimi i Aplikimit, sipas Ahmetit përfundon vetëm për 48 orë në ditë pune.

“Prej datës së nesërme në Komunën e Prishtinës fillon aplikimi ‘online’ për certifikata të lindjes dhe certifikata tjera të cilat mund të aplikohen përmes sistemit ‘online’.

“Nuk kemi dashur ta vonojmë për asnjë moment pasi që kemi punuar për një kohë të gjatë edhe me Postën e Kosovës. Kemi përgatitur edhe aspektet e sigurisë në mënyrë që prej nesër të fillojmë me shërbimet me ç’rast çdo qytetarë i Komunës së Prishtinës përfshi këtu edhe zonat rurale edhe qytetin, mund të aplikojnë ‘online’ dhe brenda 48 orësh ose dy ditë punësh dokumenti i dorëzohet palës në shtëpi përmes Postës “rekomande” që do të thotë dorëzim në duar”.

“Ky shërbim do ta shkarkojë administratën brenda Komunës, tollovitë e gjata, për të gjithë ata që kanë mundësi të aplikojnë ‘online’ dhe të marrin dokumentacionin ‘online’”.

“Çmimi i këtij shërbimi do të jetë dy euro për një dokument. Që do të thotë, një euro për dokumentin e cila është tarifa e cila vlen sipas rregullores për tarifa në Komunën e Prishtinës dhe një euro për shërbimet postare”.

Edhe drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë se kjo mundësi beson që do t’i eleminojë tollovitë e Komunës, ndërsa do të gjejë përkrahje tek qytetarët.

“Çdo dokument do të dorëzohet drejtëpërpërdrejt në duart e qytetarit i cili do të aplikojë ndërsa pagesa do të bëhet në momentin e dorëzimit, varësisht se për sa dokumente ka aplikuar”.

“Shtatë lloje të dokumenteve janë ku mund të aplikojnë qytetarët. Ekstrati i Lindjes, Certifikata e Lindjes, Certifikata e Martesës, Certifikata e Vendbanimit, Certifikata e Shtetësisë, e gjendjes martesore dhe certifikata e vdekjes”.

Gjithashtu ky shërbim vlen edhe për mërgimtarët e regjistruar si qytetarë të kësaj komune.