Ngjyrë të kuqe për Rektorin, tank për Policinë

Studentët protestues sot kanë bërë një aksion simbolik para rektoratit, duke sjellë një tank për policinë dhe një ngjyrë të kuqe për Rektorin. Avni Zogiani mendon se nëse fitohet “lufta” me UP’në, mund të transformohet e gjithë shoqëria.

Lajme

04/02/2014 13:28

Sot Rektorati i Universitetit të Prishtinës ishte i mbushur me policë por jo dhe me studentë protestues.

“Studentët e Bashkuar” sot kanë menduar që bëjnë një aksion simbolik. Ata kanë sjellë një fotografi të një tanku, një karrige dhe përmbi të një enë të mbushur me ngjyrë të kuqe.

Eroll Gashi ka shpjeguar simbolikën e këtij aksioni, duke thënë se “fortifikimit” të Rektoratit nga Policia po i mungon vetëm tanku, dhe se ngjyrën e kuqe ia kanë sjellë Rektorit që “të lyhet” dhe të “skuqet”.

“Gjatë këtyre ditëve të protestës e kemi parë fortifikimin që i është bërë rektoratit në mënyrë të paligjshme nga Policia e Kosovës. E kemi parë se këtu mungon vetëm një tank dhe këtë tank e kemi sjellë këtu sepse vetëm kjo i mungon mozaikut të shtetit policor i cili është shfaqur këto ditë para rektoratit”.

“Po ashtu kemi sjellë edhe ca ngjyrë për Rektorin Ibrahim Gashi, që të na kursej na obligimi jonë që kemi që ta skuqim atë dhe le ta merr ngjyrën dhe le të lyhet vet me ngjyrë të kuqe”.

Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

 

Në mbështetje të studentëve dhe kërkesave të tyre sot ka folur edhe profesori Arben Hajrullahu. Ai ka thënë se kjo protestë është jopartiake.

Hajrullahu beson se kërkesat e studentëve janë legjitime, andaj sot ka shprehur solidaritetin e tij me ta.

“Unë jam këtu në cilësinë e profesorit të Universitetit të Prishtinës. Jam këtu që të shpreh solidaritetin tim me Studentët e Bashkuar Protestues dhe jopartiak”.

“Unë mendoj që ky universitet ka nevojë mbështetjen e të gjithëve, studentëve, profesorëve dhe të gjitha institucioneve të këtij vendi”.

“Ky universitet ka nevojë për libra, mbështetje, e jo për polici”.

Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

Ndërkaq Avni Zogiani nga shoqëria civile tha se Universiteti i Prishtinës ka nevojë që të transformohet dhe prej aty të transformohet e gjithë shoqëria.

“Mendoj që Rektori Ibrahim Gashi nuk është i vetmi e as nuk është gjithë problemi i UP’së”.

“Mendoj që problemi i Universitetit mund të jetë eventualisht një fillim i transformimit të një shoqërie, nga një shoqëri e mungesës definitive të mbisundimit të ligjit në një shoqëri ku funksionojnë rregullat, funksionon ligji”.

“Mendoj se në rast se e fitojmë luftën me Universitetin e Prishtinës, në rast se UP’ja fillon të transformohet, kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për të gjithë shoqërinë. Do të ndikonte pastaj në transformimin  e përgjithshëm të shoqërisë”.

Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

Ndërkaq, Alisa Hasani nga “Studentët e Bashkuar” paralajmëroi se nesër do të ketë sërish një marsh. Ajo tha se Rektori Ibrahim Gashi është rektor formalisht dhe jo moralisht.

“Ne na vjen keq për moralin e Rektorit dhe duhet të shtojmë se ai asnjëherë nuk ka pranuar që punimet e tij, tashmë të publikuara në një revistë fiktive janë të rrejshme. Ai asnjëherë nuk e ka pranuar këtë”.

“Megjithatë, profesori dhe Rektori Ibrahim Gashi është profesor asistent formalisht po jo moralisht. Po ashtu ai mund të jetë formalisht Rektor por jo moralisht”.

Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net