Nisë gjykimi i ferizajasve të dyshuar për terrorizëm

Ka filluar sot gjykimi ndaj dy të rinjve nga Ferizaj, të cilët qenë arrestuar në muajin shkurt. Ata u ndaluan në Aeroportin e Prishtinës, gjatës kohës kur po udhëtonin për Stamboll, e më pas në Siri. Ata rrezikojnë të dënohen prej 5 deri në 10 burgim.

Lajme

13/05/2014 20:32

Alban Kelmendi (23) dhe Admir Bytyqi (19) nga Ferizaji kanë dalë sot para gjykatës nën dyshimin se kanë kryer veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në një grup terrorist në tentativë.

Dy të rinjtë ishin arrestuar në fillim të muajit shkurt në Aeroportin e Prishtinës, derisa po udhëtonin drejt Stambollit, prej ku donin që t’i bashkoheshin luftës në Siri.

Në seancën fillestare Prokurori, Blerim Isufaj ka lexuar akuzat me të cilat ballafaqohen të rinjtë.

“Më 24.04.2014 është ngritur aktakuza për shkak se dy të pandehurit kanë pasur qëllim që tu bashkohen dy organizatave terroriste Al Qaeda dhe Al Nusra. Ata janë arrestuar në aeroport dhe kur janë pyetur se për ku janë nisur, kanë thënë se dëshirojnë të shkojnë në Siri, t’i bashkëngjiten këtyre dy organizatave në luftë. Kështu ata kanë kryer veprën penale organizimin dhe pjesëmarrje në organizata terroriste në tentativë, në kundërshtim me nenin 28 dhe 143 të Kodit Penal të Kosovës”.

Sipas këtij neni, pjesëmarrja në grup terrorist dënohet prej 5-10 vjet burgim.

Dy të pandehurit janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për akuzat. Avokatat mbrojtës kanë kërkuar që të ju ndërpritet masa e paraburgimit por gjyqtarja e EULEX-it ka thënë se kjo masë vlen deri më 4 qershor, raporton KTV.

Ky është rasti i parë që po gjykohet, pasi që Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin që parandalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja.