Një numër i madh i mërgimtarëve mund të mbesin pa votuar

Valdete Daka thotë se për shkak të kohës së shkurtër për përgatitjen e zgjedhjeve, mërgata do të votojë si më parë. Ndërsa, Ministri Diasporës, Ibrahim Makolli, theksoi se afati kohor për organizimin e zgjedhjeve, pamundëson pjesëmarrjen e mërgimtarëve në zgjedhje.

Lajme

14/05/2014 14:36

Koha e shkurtër e organizimit të zgjedhje të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, mund të lë pa votuar një numër të madh të qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,Valdete Daka, tha se afatet e shkurtra kohore bëjnë që të shkurtohet edhe afati i aplikimit për mërgatën. Sipas saj, nuk ka mundësi të tjera ligjore.
 
“Po e dimë që ka një shqetësim nga mërgata, megjithatë KQZ-ja i ka mundësitë, ato që janë ligjore, dhe është dashur që t’i shkurtojmë edhe këto afate.

“Për shkak se të gjitha afatet janë shkurtuar dhe për shkak se jemi në mungesë të kohës dhe kemi 31 ditë për përgatitjen e zgjedhjeve dhe mërgata do të votojë ashtu siç ka votuar edhe herëve të tjera, përmes postes apo mundësia e vetme tjetër është që të vijnë dhe fizikisht të jenë prezent në Kosovë në ditën e zgjedhjeve”, tha Daka, për REL.

Nga dita e sotme e deri më 19 maj, kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës, kanë mundësi që të mbushin formularët e tyre për të figuruar në regjistrin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen me 8 qershor.
 
Pas datës 19 maj do të jenë edhe nëntë ditë tjera, kur mërgimtarët duhet të gjejnë kohë për të nisur votën në Kosovës nëpërmjet postës.
  
Në anën tjetër, Ministri në ikje i Ministrisë së Diasporës, Ibrahim Makolli, deklaroi se afatet e shkurtra për organizimin e zgjedhjeve, do të pamundësojnë pjesëmarrjen e duhur të mërgatës në procesin e votimit.
 
“Kemi theksuar se votimi në një afat të shkurtër kohor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, në një farë mase do të pamundësojë pjesëmarrjen e mërgatës në këto zgjedhje, duke pasur parasysh afatin e shkurtër kohor të aplikimit për votues nga jashtë\”.
 
\”Në anën tjetër, kur kësaj ja shton edhe procedurat për aplikim, atëherë mund të kuptohet deri diku edhe vetë mungesa e interesimit të shtetasve që jetojnë jashtë vendit, të cilët edhe në zgjedhjet paraprake kanë pasur një interesim të vogël sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, pikërisht për shkak të procedurave ligjore që ekzistojnë\”, theksoi Makolli, për REL.
 
“Procedurat komplekse të cilat ekzistojnë, deri diku e kanë zbehur interesimin për shkak se që nga vitit 2001 kur ka filluar regjistrimi i votuesve nga jashtë, ku në atë kohë një numër mjaft i madh, me dhjetëra e mijëra mërgimtarë të cilët kanë aplikuar për të qenë në regjistrin e votuesve, iu është kthyer përgjigje negative\”.
 
\”Një pjesë mjaft e madhe e mërgatës kanë dyshuar në këtë proces, dhe si i tillë pastaj ka filluar të zbehet dhe të mos ketë ndonjë interes të madh duke i parë këto procedura”, tha Makolli për REL.