Njëzet vjet dhe asnjë ditë – Lajmi.net
Njëzet vjet dhe asnjë ditë
Autori: Lajmi.net Op-EdOpinion 19:03, 11 April 2019
Përvjetor i njëzetë i fushatës së Paktit NATO dhe i kampanjës së forcave serbe për ta mbushë Kosovën krime dhe tragjedi, ka treguar sa larg jemi, në procesin e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkruan: Blerim Shala

Këtu, në këto tema, nuk mund të ketë liri të mendimit apo të shprehjes. Po ashtu, nuk mund të ketë një qasje politike neutrale apo asnjanëse. Nuk mund të ketë as debat dhe diskutim.

Kontestimi, cilido qoftë ai, në këtë rast është i barasvlershëm me justifikimin e krimit, madje, edhe me përkrahjen e tij.

Krimi të cilin në vitet 1998, 1999, forcat e armatosura të të gjitha llojeve të shtetit të Serbisë  (forcat ushtarake, para-ushtarake, policore), e kanë kryer në Kosovë, është i njohur për të gjithë ne, për të gjithë Botën, dhe për më shumë, ka marrë edhe atë konfirmimin e verdikteve gjyqësore në Tribunalin e Hagës për krime të luftës, kur janë dënuar politikanë dhe ushtarakë të lartë të Serbisë.

Përmasat e këtyre krimeve, të cilat në pranverën e vitit 1999-të, morën edhe formën e synimit të Serbisë për të bërë gjenocid në Kosovë, na janë kthyer sërish të gjithë neve, në ditët dhe javët e shkuara  (dhe në ato të tjerat që po vijnë), kur po mbahen ceremonitë e përkujtimit, në shumë vende të Kosovës, të njëzetvjetorit të masakrave të njëpasnjëshme.

Kalendari i pranverës së atij viti të madh për shqiptarët e Kosovës, njeh ditë pas dite vrasje, varre masive, zhdukje të viktimave, bartje të tyre në Serbi, në përpjekjen për t’i fshehur krimet.

Njëzet vjet që kanë kaluar në ndërkohë, duket që nuk i kanë zbehur fare kujtimet, dhimbjen dhe pikëllimin për të gjitha këto tragjedi individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Kosovës.

Njëra prej arsyeve kryesore që tutje gjithçka duket, në këtë kontekst, thuajse ka ndodhur dje, është fakti që zyrtarët më të lartë të Serbisë, asnjëri prej tyre, në këto njëzet vitet e kaluara, nuk e ka pa të udhës që me deklarata, në mos edhe me përkulje para ndonjërit prej varreve masive në Kosovë, të kërkojë falje për të gjitha këto tragjedi.

Po të ishte ndryshe, apo sikur edhe lidershipi i tashëm i Serbisë, të shfaqte, qyshdoqoftë një gatishmëri minimale për tu ballafaquar me një të kaluar apo një trashëgimi të përgjakshme të pranisë së këtij shteti në Kosovë, nuk do të ndodhte që dy zyrtarë të Kosovës, të cilën përfaqësojnë një entitet politik në Qeverinë e Kosovës, të shpreheshin në mënyrën më të keqe të mundshme, për tragjeditë e para njëzet viteve.

Një ministër dhe një zëvendës-ministër, në paraqitjet e tyre, kanë reflektuar opinionin absolutisht mbizotërues në politikën por edhe në shoqërinë serbe për luftën në Kosovë, për fushatën e Aleancës Veri-Atlantike, për gjithë atë çfarë ka ndodhë këndej pari, në një të kaluar të afërme, që si po duket nuk e ka ndërmend të largohet dhe të bëhet vetëm një histori.

Ky përvjetor i njëzetë i fushatës së Paktit NATO dhe i kampanjës së forcave serbe për ta mbushë Kosovën krime dhe tragjedi, në një mënyrë apo tjetrën, ka treguar sa larg jemi, në këto relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe në raportet midis dy shoqërive, në krijimin e rrethanave për normalizimin e mirëfilltë të marrëdhënieve, apo, për hyrjen në një kapitull të panjohur të këtyre relacioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Është njëmend e paimagjinueshme që mund të ndodhë Marrëveshja Gjithëpërfshirëse në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, e cila do të bazohej në njohjen eksplicite reciproke në mes të dy shteteve, në një atmosferë të këtillë politike dhe shoqërore, pa krijuar rrethanat minimale për tu ballafaquar me të kaluarën tragjike të luftës në Kosovë.

Normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi nuk mund të bëhet  (natyrisht), pa një Marrëveshje ligjësisht detyruese. Por teksa kjo Marrëveshje është kusht pa të cilin nuk mund të ndodhë normalizimi, ajo assesi nuk është e mjaftueshme. Duhet gjithsesi të ndryshojë, me themel madje, atmosfera e sotme politike dhe shoqërore, për të mbërri tek ky cak, (i bërjes dhe nënshkrimit të Marrëveshjes), i cili pastaj do të duhej të mbahej dhe të pasurohej si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, gjithsesi edhe me shfaqjen e qartë të pendesës për të gjitha krimet, dhe me kërkimin e faljes për të gjitha tragjeditë e shkaktuara në Kosovë.

Ndryshe nuk bën, dhe këtë e tregon zatën edhe përvoja e rasteve të ngjashme në gjithë Evropën, kur dy popuj, dy vende, dy shoqëri, kanë synuar ta lënë prapa armiqësinë në emër të normalizimit të raporteve, madje, edhe të pajtimit.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO