Nuk kandidojmë në Veri pa u gjetur vrasësi
Slobodan Petrovic thotë se SLS nuk do të caktojë kandidat për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, pa u gjetur vrasësi i Dimitrije Janicijevic. Ai ka kërkuar nga EULEX që sa më shpejt ta zbardhë rastin e vrasjes së ish-Kandidatit të SLS’së.

Lajme
Kryetari i Partisë Liberale Serbe (SLS), Slobodan Petrovic, ka thënë se partia e tij nuk do të ketë kandidat për Kryetar të Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e 23 shkurtit pasi që EULEX ende nuk e ka gjetur vrasësin e kandidatit për Kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Dimitrije Janicijevic.
Petrovic ka deklaruar për agjencinë Beta se aktiviteti i SLS’së në Veri të Kosovës varet nga hetimet e EULEX’it.
Ai kërkoi nga EULEX që sa më shpejt të gjejë vrasësin e ish kandidatit të kësaj partie për Kryetar të Mitrovicës së Veriut.
“Kërkojmë nga ky mision që të deklarojë hapur për rezultatet e këtyre hetimeve. Kjo vepër është terrorizëm, nëse EULEX nuk ka kapacitet që të luftojë këtë, atëherë kush do ta bënte…”.
Sipas Zëvendës Kryeministrit të Kosovës, Slobodan Petrovic, mos identifikimi i vrasësit do të krijojë mosbesim dhe frikë te të gjithë qytetarët.
Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut do të mbahen më 23 shkurt. Deri më tani kandidatët për kryetar të kësaj komune i kanë paraqitur, Lista Serbe me Goran Radic, Iniciativa Qytetare SDP me Oliver Ivanovic, Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Florent Azemi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka kandidat Musa Miftari.