OKB të bëjë raport për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë

Bordi drejtues për organizimin e peticionit “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë” nga ushtria dhe policia serbe, kanë paralajmëruar mbajtjen e një peticionit menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, me anë të të cilit do t\'i kërkohet OKB-së të bëjë një raport mbi këtë çështje, dhe pastaj për këtë të vendosë drejtësia ndërkombëtare.

Lajme

15/05/2014 14:51

Duke e prezantuar bordin e ri me nëntë pjesëtare femra, për organizimin e peticionit “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë”, anëtarja e këtij bordi, Edita Tahiri, ka thënë se ky peticion po bëhet për shkak të mosardhjes ende deri tek drejtësia e krimeve gjenocidale serbe ndaj Kosovës.

Tahiri ka thënë në një konferencë për media, se përgjegjësia e këtij bordi është që ta ndërkombëtarizojnë çështjen e grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, duke bërë një peticion që kërkon nga OKB-ja krijimin e një raporti për këtë.

“Ky raport është bërë nga sekretari gjeneral për shumë shtete, por as Kosova as Kroacia nuk është përfshirë. Dhe, me këtë peticion që ne dëshirojmë ta organizojmë në mbarë Kosovën kërkojmë me këtë legjitimitet të kërkesave të qytetarëve tanë kërkojmë që OKB të bëjë raport për këtë çështje”.

“Pas raportit kërkesa jonë e dytë është të vendoset drejtësia ndërkombëtare për këtë çështje, sipas ligjeve ndërkombëtare dhe mekanizmave ndërkombëtare. E treta, gjithë institucionet do të angazhohemi që të sensibilizojmë botën dhe të marrim përkrahje në mënyrë që së paku këto gra të cilat e përjetuan atë tragjedi ta përjetojnë atë që ka kujdes, ka angazhim”, ka thënë ajo.

Në këtë bord, janë edhe emra të njohur që sipas Tahirit kanë ndihmuar për këtë çështje në vazhdimësi, si, Teuta Sahatqiu, Vlora Çitaku, Donika Kadaj-Bujupi, Suzana Novobërdaliu, Edona Hajrullahu, Veprore Shehu, Luljeta Selimi dhe Luljeta Pula.

Anëtarja e këtij bordi, Teuta Sahatqiu, ka thënë se ky peticion do të mbahet pas zgjedhjeve, ku si datë mund të jetë 16 qershori.

“Janë disa hapa që do të ndërmerren në këtë aspekt, por më e rëndësishmja është që të ngritët zëri.

“Hapi i parë do të jetë fillimi i një peticioni, ai peticion nuk do të fillojë tash, pasi jemi në prag të zgjedhjeve dëshirojmë që të mos duket si një fushatë e zgjedhjeve. Por, menjëherë pas zgjedhjeve, me 16 qershorin si datë e mundshme”.

Anëtarja tjetër e këtij bordi, Vlora Çitaku, ka thënë se qëllimi i tyre është që të bëhen zëri i grave që nuk kanë zë.

“Është detyra jonë që këtyre grave që janë nënat tonë, motrat, vajzat tona, t’u ndihmojmë që ta kthejnë dinjitetin në shoqëri”.

“Turpi nuk bie mbi ta, por për ata që kanë kryer aktin. Nuk jemi ne dhe ato, jemi ne dhe jemi një”, ka thënë ajo.