OSHP e ngarkuar me lëndë, dështon konkursi për dy anëtarë të saj

11:08 | 11 Shtator 2019

Ka dështuar konkursi i hapur para disa muajve nga Qeveria e Kosovës për emërimin e dy anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit i njohur ndryshe edhe si “Gjykata e tenderëve” po operon më kapacitet minimale të burimeve njerëzore. Kjo ngase Paneli i OSHP-së që merr vendim përfundimtarë për një ankesë po operon akoma vetëm me tre persona. Ndërkohë, do të duhej të ishin pesë.

Lajmi.net ka mësuar se ka dështuar konkursi i hapur prej Zyrës së Kryeministrit për dy anëtar të Bordit të OSHP-së.

Konkursi ishte mbyllur më 30 prill dhe më pas ka pasur disa kandidatë në garë.

Në mbledhjen e saj të rregullt Qeveria, me propozim të kryeministrit kishte përzgjedhur një komision për rekomandimin e kandidatëve për anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Lajmi.net kishte gjetur se ky vendim ka qenë në kundërshtim më ligjin, në të cilin është thirrur vendimi i Qeverisë, ose më saktë në kundërshtim me nenin 100 të Ligjit të Prokurimit Publik që e rregullon këtë çështje. Kjo, pasi ligji e ka përcaktuar që komisionin përzgjedhës për rekomandimin e anëtarëve të Bordit të OSHP-së duhet ta themelojë Kuvendi i Kosovës, dhe ai Komision duhet të jetë i pavarur në përbërje prej tre gjyqtarëve të emëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Megjithëkëtë, mësohet se konkursi është anuluar në tersi, ani pse komisioni i përzgjedhur nga Zyra e Kryeministrit kishte rekomanduar 6 emra për këto dy vende.

Zyra e kryeministrit nuk ka dashur të deklarohet në lidhje më këtë çështje.

Organizata Demokraci Plus ka qenë organizata e shoqërisë civile e përzgjedhur nga Zyra e Kryeministrit për të qenë pjesë e përzgjedhjes për rekomandimin e dy anëtarëve të OSHP-së.

Agon Hysaj, i cili është monitorues i prokurimit në organizatën Demokraci Plus (D+) thotë se procesi ka mbetur në qeveri.

Ai e sheh si problemë të madh funksionimin e OSHP-së me vetëm tre anëtar të panelit për shkak të punës voluminoze që ka ky institucion që është i thirrur për të ndarë drejtësinë në tenderë.

“Dimë që ky proces ka mbetur në qeveri. Problem i madh mbetet funksionimi me vetëm tre anëtarë. Është rritur numri i ankesave, e gjithashtu është rritur koha mesatare për të marrë vendimin. Në vitin 2017 ishte 38 ditë, këtë vit është 44 ditë. Ditët janë të mbushura me seanca (së paku 6 seanca në ditë) dhe kjo e bën të vështirë që të këtë kualitet. Për shkak të mbingarkesës tre anëtarët e panelit detyrohen që edhe pushimet vjetore t’i marrin në të njëjtën kohe pasi për tenderët me vlerë mbi 10,000 euro duhet të jenë së paku 3 anëtarë në panel”, tha Hysaj për lajmi.net.

Dy pozitat vakante për anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit janë në listën e pozitave që do të mbështeten nga Projekti i Rekrutimit i Ambasadës Britanike.

Ndryshe, ka kohë që OSHP-ja është pa dy anëtarë të bordit. Aktualisht janë vetëm tre, Blerim Dina –kryetar, anëtar Goran Milenkovic e Nuhi Paçarrizi.

Ndërkohë, kryetari Blerim Dina tashmë është nën llupen e hetuesisë për dallavere të mundshme që mund të ketë bërë në disa tender që kanë të bëjnë me ministrinë e Infrastrukturës. /Lajmi.net/