Paralajmërimi i Hershëm

Mosmarrëveshjet në Kuvendin e Kosovës rrezikojnë ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Pozita dhe Opozita kanë barrikaduar qëndrimet e tyre, duke e bërë të pamudshëm vazhdimin e punës së Kuvendit.

Lajme

07/11/2013 17:05

Mosmarrëveshjet mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, që bazën e kanë në çështjen e shumëpërfolur të privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, rrezikojnë ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ky institucion ligjëvënës po dështon seancë pas seancës që të marrë vendim, si për formimin e  Komisionit Parlamentar Hetimor për PTK’në, të kërkuar me ngulm nga opozita, si për futjen në rend të ditës si pikë diskutimi të  Raporti Qeveritar për Privatizimin e PTK’së, që po kërkohet nga koalicioni qeveritar.

Të dy palët kanë barrikaduar qëndrimet e tyre duke e bërë të pamudshëm vazhdimin e punës ës Kuvendit të Kosovës, i cili qysh para zgjedhjeve lokale ka mbetur pothuajse i paralizuar.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, pohon se viti i ardhshëm është vit zgjedhor. Sipas tij, ky proces është duke u penguar nga opozita për shkak të manipulimit me ndjenja të qytetarëve.

“Viti i ardhshëm është vit zgjedhor dhe s’besoj se është në interes as të subjekteve politike që po e bllokojnë punën”.

“Është qëllim për të luajtur me ndjenjat e qytetarëve”.

“PDK është e gatshme në çdo kohë t’i përgjigjet çdo kërkese dhe çdo vendimi të Kuvendit të Kosovës. PDK e ka respektuar dhe do ta respektojë me përpikëri”.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së në opozitë, Ismet Beqiri, thotë se kjo parti po insiston në ligjshmëri dhe jo në çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

“Ne lere që i fituam këto zgjedhje lokale, por edhe të tjerat do t’i fitojmë nëse ndodhin, normalisht, pra edhe zgjedhjet parlamentare”.

“Po ky qëndrim yni nuk ka të bëjë me zgjedhje, nëse të tjerët tentojnë ta thonë këtë. Kjo nuk ka të bëjë me dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme”.

“Këtë qëndrim e kemi sa kohë, me muaj të tërë e që fare s’ka qenë e caktuar as data për zgjedhjet lokale. Prandaj, nëse dikush dëshiron ta lidhë kësisoj që po bllokojmë institucionin e Kuvendit dhe po shkon vendi në zgjedhje parlamentare, atëherë këtë po e bën pozita”.

“Nëse ata e kanë këtë vullnet dhe këtë dëshirë të shkojnë dhe të pësojnë edhe një goditje elektorale, le ta bëjnë, është problem i tyre. Por, ata që po e bllokojnë institucionin ligjvënës janë pozita dhe kjo është shumë e qartë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, thotë se Grupet Parlamentare duhet të gjejnë zgjidhje. Një prej zgjidhjeve, sipas tij, do të jetë që përkohësisht të lihen anash këto dy pika kontestuese, në mënyrë që gjatë dy javëve t’i kryejnë disa punë, disa raporte dhe disa ligje shumë të rëndësishme, pastaj të gjejnë metodë që Kuvendi të dalë nga kjo situatë që është problematike.

“Kjo është një nga variantat, nëse kjo nuk vjen në shprehje, atëherë çka?!”.

“Mendoj se kjo legjislaturë, fatkeqësisht, ka dështuar në shumë aspekte, për shkak të përbërjes e cila ekziston”.

“Kosova ka nevojë jetike që ta ndryshojë kodin zgjedhor dhe zgjedhjet e reja duhet të shkojmë me kodin e ri zgjedhor. Një herë duhet t’i qesim prioritetet dhe të jemi të qartë, sepse nuk guxojmë të bëjmë veprime të cilat nuk janë serioze, për shkak se po shihet se edhe situata është serioze për shtetin dhe nuk është e lehtë”.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK’së, Xhavit Haliti, e sheh të domosdoshme arritjen e një marrëveshjeje politike për zhbllokimin e situatës.

“Jam plotësisht dakord për një marrëveshje politike në mes të pozitës dhe opozitës lidhur me dy çështjet e diskutura sot, në të kundërtën ne do të duhej që vërtetë të merrnim një vendim i cili i hap rrugë Parlamentit”.