Pas humbjes së vendeve të rezervuara, serbët dalin me liste të përbashkët

Partitë serbe shprehin gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit. Ato kanë filluar përgatitjet dhe flitet për mundësinë e konkurrimit të tyre me një listë të përbashkët, ndonëse kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Lajme

11/05/2014 10:40

Kreu i nismës qytetare “Srpska”, Vladeta Kostiq nuk ka shpalosur shumë detaje rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet kombëtare, por ka thënë që vendimi do të merret në ditët në vijim.

“Për të gjitha detajet do të flasim në vazhdim, por mund të them që ne jemi të hapur për të gjithë ata që punojnë përtej interesave individuale apo grupore”, ka thënë Kostiq, transmeton RTK.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Progresive, Goran Marinkoviq thotë që dalja me një listë të përbashkët do të përforconte komunitetin serb në parlamentin e Kosovës, pas humbjes së vendeve të rezervuara.

“Konstituimi i serbëve të Kosovës në një listë të vetme do të forcojë pozicionin e tyre, meqenëse kemi humbur vendet e rezervuara besoj që vetëm në këtë mënyrë do të kemi numër më të madh të përfaqësueseve serbë në parlament”, ka theksuar Marinkoviq.

Pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit në Kosovë do të varet nga qëndrimi i Beogradit. Këtë e kanë konfirmuar vetë udhëheqësit e kësaj liste, raporoton RTK.