PDK e AKR ikin nga seanca, s’ka kuorum për Rekomandimet e Opozitës
Rekomandimet e lexuara nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, u mbështetën nga deputetët opozitarë të AAK’së dhe Vetëvendosjes, ndërsa u kundërshtuan nga PDK dhe KKR të cilët kërkuan harmonim të qëndrimeve.

Lajme
Deputetët e partnerëve të koalicionit qeveritar, PDK dhe KKR, kanë braktisur seancën e sotme duke e bërë të pamundur votimit e rekomandimeve me të cilat kërkohej shkarkimi i Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Këshillit Drejtues të UP’së.
Rekomandimet e lexuara nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, u mbështetën nga deputetët opozitarë të AAK’së dhe Vetëvendosjes, ndërsa u kundërshtuan nga PDK dhe KKR të cilët kërkuan harmonim të qëndrimeve.
Në momentin kur duhej të viheshin në votim këto rekomandime, në seancë ishin të pranishëm vetëm 52 deputetë.
Këto ishin Rekomandimet e Opozitës në Kuvendin e Kosovës:
1. Rektori dhe Këshilli Drejtues i UP’së ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr UP’në. Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi dhe anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të japin dorëheqje dhe t’i shërbejnë procesit të normalizimit të UP’së;
2. Të vlerësohet përgjegjësia e Ministrit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, për mos përcjelljen me kohë të zhvillimeve të UP’së dhe mosmarrjen e masave ligjore në kohë të duhur;
3. Qeveria të heqë dorë nga kontrolli i paligjshëm mbi Universitetin e Prishtinës, dhe nga përdorimi i tij si vend akomodimi për militantët e saj politikë. Si dhe të respektohet autonomia e plotë e Universitetit. Kësaj do t’i ndihmonin ndryshimet e domosdoshme në ligjin e arsimit të lartë dhe në statusin e UP’së;
4. Organet kompetente duke përfshirë edhe Prokurorinë të kërkojnë përgjegjësi dhe t’i vënë para drejtësisë pjesëmarrësit në veprimet e kundërligjshme në UP. Të respektohet statusi i UP’së për zgjedhjen dhe gradimin e stafit akademik dhe të revokohen zgjedhjet dhe gradimet e pamerituara dhe në kundërshtim me procedurat ligjore;
5. Komisioni i emëruar nga senati për shqyrtimin e revistave në të cilën kanë publikuar stafi akademik i UP’së të informojë në baza të rregullta Komisionin Parlamentar për Arsim;
6. MASHT së bashku me UP’në t’i përcaktojnë politikat e regjistrimit në përputhje me kapacitetet akademike fizike dhe financiare të UP’së dhe të harmonizuara me tregun e punës;
7. Të mos nëpërkëmbën profesorët dhe shkencëtarët që janë pjesë e UP’së të cilët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punë akademike të mirëfilltë shkencore. Gjithë akterët e përfshirë në këtë proces duhet të angazhohen ta ruajnë kredibilitetin dhe integritetin e mësimdhënësve në UP.